English

Tragetet braktisin portin e Vlorës

Vlorë, 23 maj 2011, NOA – Dy tragetet e linjës Vlorë-Brindizi janë larguar nga porti i Vlorës drejt Brindizit, po këtë herë argumenti që ata dhanë ishte rinovimi i liçencës. Sipas drejtuesve të portit të Vlorës, dy tragetet i përkasin respektivisht një kompanie greke dhe një kompanie italiane, por ata punojnë me personel shqiptar.

Njëri nga tragetet u largua të premten, ndërsa tjetri pas zbarkimit të pasagjerëve në kalatën e portit të dielën, nuk doli në radë duke u kthyer mbrapsht drejt brigjeve italiane të Brindizit.

Drejtuesit e portit të Vlorës thanë se drejtuesit e tragetit janë justifikuar për largimin e tyre nga porti i Vlorës me rinovimin e liçenës, ndërkohë që largimi i tyre ka sjellë pështjellim të qarkullimit të pasagjerëve dhe të transportit të mallrave ushqimore, apo frutave e perimeve.

Sipas drejtuesve të portit të Vlorës nuk ka asnjë informacion se sa do të zgjasë mungesa e trageteve në portin e Vlorës.

Por, dëmi ekonomik që ata i shkaktojnë institucioneve portale, pasagjerëve dhe bizneseve në Vlorë është i madh, pasi Vlora furnizohet me burime ushqimore kryesisht nga Italia.

Gjithashtu mësohet se moslajmërimi i agjencive për këtë ndërprerje të itinerarit ka lënë në brigjet e Brindizit qindra pasagjerë që do të ktheheshin në Vlorë.

Ndërkohë dhjetëra udhëtarë të tjerë që kishin prerë biletat për ditën e sotme i kanë hedhur poshtë ato duke u detyruar që të udhëtojnë përdrejt Italisë nga porti i Durrësit.

Tragetet që operonin në portin e Vlores u larguan drejt Libisë disa kohë më parë duke paralizuar tërësisht punën në portin e Vlorës.

Këtë e bënë edhe një muaj më parë, me justifikimin se po largoheshin për remontin e trageteve, porse destinacioni i tyre ishte rishtas Libia.

mit/NOA

KOMENTE