Spanjë, 23 maj, NOA - Socialistët spanjollë të kryeministrit Jose Luis Rodriguez Zapatero kanë pësuar një humbje historike në zgjedhjet rajonale dhe lokale të zhvilluara ditën e dielë.
Ata kanë arritur rezultatet më të dobëta në historinë më të re të Spanjës dhe sipas rezultateve paraprake kanë fituar rreth 28 për qind të votave. Partia popullore konservatore ka fituar 37 për qind dhe me këtë rezultat rrëzon socialistët në shumë bastione të tyre, që tradicionalisht janë qeverisur nga të majtët si qytetet Sevilla dhe Cordoba.
Kryeministri Zapatero pranoi humbjen por theksoi që zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë. Zgjedhjet, në të cilat u thirrën për të votuar 35 milionë qytetarë, u shoqëruan nën hijen e demonstratave në gjithë vendin kundër papunësisë së lartë, politikës së kursimit, korrupsionit dhe pushtetit të bankave. Edhe pse demonstratat u ndaluan, dhjetëra mijëra njerëz dolën nëpër rrugë për të protestuar.
NOA