English

Zgjedhjet, pa zgjidhje?!

Nga Arben Malaj

Jo vetëm për shkak të kulturës politike, por sidomos edhe për zhvillimet e përkeqësuara politike pas zgjedhjeve 2009, shpresohej që këto zgjedhje të ofronin zgjidhjen për të dalë nga kriza dhe për të fituar kohën e humbur në integrimin e vendit.

Në nivel vendor, duket se ajo që trashëgohet nga mosfunksionimi gjatë viteve 2007-2011, rrezikon të përsëritet.

Zëvendësimi dhe fillimi nga puna i të zgjedhurve të rinj do të zgjatet ndoshta më shumë se më parë. Po të kemi këtu parasysh edhe betejën për Tiranën, kjo zgjatje nuk do të jetë thjesht një vonesë administrative, por një periudhë e tensionuar politike.

Raporti kryetar Bashkie me këshillat bashkiakë. Rezultati elektoral aktual tregon se kryetarët e bashkive më të mëdha sërish rrezikojnë të ndodhen në krizën e bllokimit prej këshillave bashkiake. Disa ekspertë të huaj në Shqipëri që vijnë nga vende me kulturë demokratike dhe institucione të konsoliduara, e konsiderojnë këtë një mundësi shumë të mirë për të rritur kontrollin e këshillit mbi kryetarët dhe për të rritur përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e kryetarëve ndaj këshillit dhe votuesve të tyre. Teorikisht, gjithçka tingëllon bukur. Praktikisht, e vërtetuar në realitetin shqiptar të disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, duke filluar nga kryeqyteti dhe jo për raste sporadike, por për një periudhë të gjatë katërvjeçare, 2007-2011, e vërteta është e hidhur. Bllokimi i kryetarëve të së majtës nga këshillat në shumicë të maxhorancës aktuale ka penguar funksionimin efektiv të drejtimit të bashkive dhe ka përkeqësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

Fitorja e bashkive më të mëdha të vendit nga kandidatët e Aleancës për të Ardhmen mund të rrisë riskun që qeveria e orientuar nga zgjedhjet e 2013-s, jo vetëm të cenojë këtë pushtet real të drejtimit të këtyre qyteteve, por të përkeqësoje edhe funksionimin e tyre. Ambienti i biznesit vendor përkeqësohet nga ndryshimi i shpeshtë i taksave për të reduktuar burimet e drejtpërdrejta të bashkive. Mund të vazhdojë mosbashkëpunimi për projekte jetike të qyteteve të mëdha dhe për investime publike që lehtësojnë trafikun, përmirësojnë ambientin dhe përmirësojnë furnizimin me ujë e drita. Rasti më tipik është vonimi i unazës së madhe të Tiranës, si dhe projekti jetik i furnizimit më ujë, përpunimit të ujërave dhe mbetjeve. Një rast tjetër kritik është zvarritja e projektit për një unazë të madhe për qytetin e Vlorës, ku bllokimi i trafikut dhe vuajtjet në trafik, jo vetëm gjatë sezonit turistik, janë kthyer në një stres për turistët vendës e të huaj dhe, një pengesë reale për potencialet e mëdha turistike të qytetit dhe qarkut të Vlorës.

Ndaj, këto zgjedhje, edhe pas mbylljes së betejës së Tiranës, rrezikojnë të mos ofrojnë zgjidhje për problemet e trashëguara në funksionimin e këshillave të qyteteve të mëdha, nuk ofrojnë zgjidhje për mungesën e bashkëpunimit të qeverisë qendrore me pushtetin vendor të drejtuar nga opozitarët dhe nuk ofrojnë zgjidhje për vonesat e tejzgjatura, për investimet e domosdoshme publike, për infrastrukturën dhe shërbimet jetike në këto bashki.

Ndërsa në kontekstin vendor, këto janë çështje që kërkonin zgjidhje pas zgjedhjeve, në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar, këto zgjedhje i kanë rritur kostot e dështimit të politikës.

Në aspektin kombëtar, vendi nuk doli nga kriza politike e ushqyer nga dështimi i zgjedhjeve parlamentare 2009. Duke pasur parasysh edhe analizën e mësipërme, rrezikohemi që edhe pas përfundimit të betejës së Tiranës, kriza politike të vijë duke u përkeqësuar.

Në aspektin e sfidave integruese të vendit, fatkeqësisht Shqipëria po i ngjan atij nxënësit të dobët që shkon tek komisioni jo për t’u përgjigjur, por për të dorëzuar fletën bosh dhe për t’u larguar pa e pritur vlerësimin ngelës. Ky dështim është jo tek anulimi i vizitës së Presidentit të Komisionit Europian, z. Barroso, por tek rreziku i humbjes për të dytin vit rresht të statusit të vendit kandidat. Këto vonesa të përsëritura për t’iu afruar vlerave të BE-së mund të sjellin kosto shtesë në zhvillimet e ardhshme politike, ekonomike dhe sociale.

Imponohet zgjidhje jo thjesht për zgjedhjet e radhës, ato vendore apo parlamentare, por për vlerat dhe standardet jetike të një vendi në integrim.

Zgjidhja e krizës nuk është thjesht riklasifikimi i votave të kontestuara dhe as tymi i zi i gomave të përdorura, por një përgjegjshmëri maksimale për ta ndalur këtë krizë permanente mbi të gjithë shqiptarët.

Zgjidhja mund të jetë e plotë, substanciale dhe e qëndrueshme vetëm duke u mbështetur në një pakt reformash kushtetuese, politike, administrative dhe ekonomike.

Sëmundjet nuk shërohen duke pudrosur plagët sipërfaqësore, por duke kuruar rrënjët e saj, që në këtë rast janë deformimet deri dhe kushtetuese të funksionimit demokratik të institucioneve më të rëndësishme të vendit.

KOMENTE