English

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu në selinë rozë

Tiranë, 24 maj 2011 – Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu ka hyrë para disa minutash në mjediset e selisë rozë, ku po zhvillon një takim me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Ky takim i beftë është afërmendsh që ka si lajtmotiv situatën postzgjedhore në vend dhe apelimin e rezultatit për Tiranën të shpallur nga KQZ në orët e vona të së hënës.

Ambasadori Arvizu i ka shpeshtuar takimet me të dyja krahët e politikës duke apeluar që të zbatohet ligji.

Më herët ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu mori pjesë në drekën e punës të shtruar nga kryeministri Sali Berisha me rastin e mbarimit të mandatit të ambasadorit bullgar Teodor Roussinov në Shqipëri.

Në këtë drekë pune, merrnin pjesë edhe ambasadorët e BE-së, Ettore Sequi, dhe ai i OSBE-së Eugen Volfart, që përbëjnë trojkën e ambasadorëve më të rëndësishëm në vend, që kanë qenë vigjilentë gjatë procesit zgjedhor të 8 majit, duke ndjekur nga afër këtë proces ende të papërfunduar.

Hapi ligjor i ndërmarrë nga Partia Socialiste herët në mëngjes për ta apeluar vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor është çelësi që pritet t’i japë zgjidhje tensionit postzgjedhor të 8 majit, pas ndryshimit të rezultatit në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha.

KQZ e shpalli atë fitues në rezultatin paraprak me plot 81 vota më shumë, të ardhura si avantazh i Bashës pas numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara.

Ky veprim që sipas përfaqësuesve ligjorë të PS-së në KQZ nuk ka bazë ligjore në Kodin Zgjedhor të miratuar në vitin 2008 është kontestuar në mënyrë të përditshme nga PS gjatë numërimit të fletëve të kontestuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tashmë është Kolegji Zgjedhor, institucioni ligjor që pritet t’i vërë vulën garës për Tiranën, duke hedhur poshtë ose rezultatin e KQZ-së ose ankesën e Partisë Socialiste.

Megjithatë në pritje të këtij verdikti që do të merret në datën 26 maj, pra të enjten e kësaj jave, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për qeverisjen vendore në Tiranë ende nuk është çertifikuar, dhe ende nuk dihet se cili do të jetë kryebashkiaku i kryeqytetit, Edi Rama apo Lulzim Basha.

mit/NOA

KOMENTE