English

Ashton-Fyle: Partitë të nisin dialogun për votat “e hedhura gabimisht”

E martë, 24 maj 2011, NOA- Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine

Ashton dhe Komisionerit per Zgjerimin, Stefan Fyle janë shprehur mbi situatën aktuale në Shqipëri.

Në deklaratën e tyre thuhet: “Ne kemi mbajtur shënim ditën e djeshme bërjen publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Megjithatë ne kemi mbajtur shënim që çështja e logjikës ligjore të

vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota "të hedhura gabimisht", është një çështje që përbën shqetësim. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende”.

Më tej qëndrimi i dyshes Ashton-Fyle vijon duke thënë se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR.

Theksohet se, BE pret qe procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente si dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues.

Sipas deklaratës së përfaqësuesve të Bashkimit Europian deklarohet se, zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim, duke apeluar që për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave "të hedhura gabimisht".

Deklarata shprehet se, një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së.

“Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit europian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave europiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”, përfundon reagimi i Stefan Fyle dhe Catherinë Ashton për situatën në Shqipëri.

a.y/NOA

KOMENTE