English

Basha: Më votuan 81 bashkëqytetarë më shumë, pres përfundimin e procesit

Tiranë, 24 maj 2011, NOA – Në të parën dalje publike pas shpalljes nga KQZ të avantazhit të tij me 81 vota më shumë se rivali Edi Rama, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se në këto zgjedhje me rezultat të ngushtë, fitoi demokracia.

Basha falenderoi qytetarët e Tiranës që e votëbesuan duke i dhënë 81 vota më shumë se kandidati tjetër Edi Rama.

Kandidati demokrat vlerësoi numërimin e votave nga KQZ duke theksuar se është e drejtë universale që çdo votë të numërohet.

“Tani u numërua çdo votë duke bërë të dëgjohet zëri i çdo qytetari”, vlerësoi Basha.

Ai evidentoi se në këto zgjedhje votuan më shumë se 250 mijë qytetarë, një pjesëmarrje masive kjo krahasuar me ato të mëparshmet.

Duke falenderuar qytetarët për votëbesimin, Basha nënvizoi se qytetarët treguan me votë se në vend të betejave politike duan zgjidhje.

Sipas tij këto zgjedhje vendore dhe numërimi i çdo vote e bëjnë krenare Tiranën dhe qytetarët e saj.

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” tha se një rezultat i ngushtë vë demokracinë në provë.

Ai ripërsëriti se ka pritur deri tani që të numërohej çdo votë.

“Qytetarët janë të entuziazmuar për një politikë të re në qytetin e tyre, ata e treguan qartë këtë me votën e tyre”, tha kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës.

Ai shprehu besimin se “ndryshuam mënyrën se si perceptohet politika, duke vendosur të parët qytetarët, ashtu siç e meritoni”.

Duke iu referuar entuziazmit për këtë avantazh në Tiranë, Basha tha se kjo garë është shumë e ngushtë dhe se interesi i këtyre zgjedhjeve ishte më i madh se kush fiton apo kush humb.

“Jemi plot besim për triumfin e sistemit demokratik dhe nuëmrimin e çdo vote të zgjedhësve” deklaroi Basha nga selia blu.

Këtu Basha ripërsëriti se ai do të presë deri në përfundim të procesit që të shqyrtohen edhe ankesat në Kolegjin Zgjedhor dhe më tej rezultatin e çertifikuar dhe i inkurajoi qytetarët të respektojnë institucionet.

mit/NOA

KOMENTE