Bruksel, 24 maj 2011 NOA/ Ervin Tirana - “Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR”.
Deklarata u bë sonte nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, mbi situatën aktuale në Shqipëri.
Ashton dhe Fule në deklaratën e tyre të përbashkët thonë se kanë “mbajtur shënim ditën e djeshme bërjen publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës”.
Megjithatë ne kemi mbajtur shënim që çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota "të hedhura gabimisht", është një çështje që përbën shqetësim’, - thuhet në deklaratë.
Kurse pasi theksohet se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, Ashton dhe Fule thonë se Bashkimi Evropian pret qe procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues.
“Zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim”, - thonë Ashton dhe Fule.
Për këtë qëllim, - shtojnë ato, - partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave "të hedhura gabimisht".
Sipas Ashton dhe Fule, një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së.
Deklarata e Ashton dhe Fule përmbyllet me thirrjen: “Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”.
e.t/NOA