English

Berisha përuron urën e re të Bunës: Vota në 8 maj do të shpërblehet

Shkodër, 24 maj 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha udhëtoi sot në mesditë drejt Shkodrës ku inauguroi urën e re të lumit Buna, një investim i finalizuar nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Islamike për Zhvillim. Pas prerjes së shiritit të përurimit të urës së re, në hyrje të së cilës mbolli edhe një ulli si simbol i jetëgjatësisë, kryeministri Berisha e cilësoi urën e Bunës si një kryevepër arkitekturore, që do të nxisë zhvillimin e turizmit dhe të rajonit.

“Ura e re e Bunës është një kryevepër e arkitekturës që ka Shkodra. Deri në vitin 2014 vendi do të ketë infrastrukturën më moderne”, premtoi shefi i qeverisë.

Zoti Berisha tha se kjo urë e re do të forcojë edhe më shumë lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë ceremoni kryeministri i falenderoi qytetarët shkodranë për votëbesimin, që i dhanë qeverisë së tij në zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Shkodra votoi për Shqipërinë e zhvilluar. Vota e qytetarëve të Shkodrës do të shpërblehet”, garantoi shefi i qeverisë nga kryeqendra e veriut të vendit, për të cilën tha se do të shndërrohet në kryeqendrën e turizmit dhe ekonomisë.

Duke iu referuar mbështetjes që zgjedhësit shkodranë i dhanë Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në 8 maj, kryeministri Berisha u premtoi shkodranëve se investimet e qeverisë për zhvillimin e Shkodrës do të vijojnë.

“Vota e 8 majit, do të shndërrohet në një energji të madhe zhvillimi për të gjithë Shqipërinë”, siguroi kryeministri.

Ai përmendi këtu investimet më të afërta të planifikuara për Shkodrën, si projektin për ndërtimin e baypassit, projektin e rrugës që lidh Shkodrën me hanin e Hotit, si dhe projekte të tjera për zhvillimin e infrastrukturës. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, Ministri i Popujve Pakicë në qeverinë e Malit të Zi, Ferhat Dinosha, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, dhe ai i Ulqinit.

Ura e re mbi lumin Buna, në hyrje të qytetit të Shkodrës u ndërtua me një investim prej 7.2 milion dollarë të akorduara nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim.

Kjo urë është pjesë e segmentit që lidh Shkodrën me pikën kufitare të Muriqanit, kufiri që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

mit/NOA

KOMENTE