English

Berisha telegram Obamës: Keqardhje për tragjedinë e uraganit në Joplin

Tiranë, 24 maj 2011, NOA- Kryeministri Sali Berisha pasditen e sotme i dërgoi një telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, lidhur me uraganin e fuqishëm që goditi qytetin e Joplin, në shtetin e Misurit.

Nga ky uragan, humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë amerikanë, duke i rritur kështu përmasat e tragjedisë.

Në mesazhin e tij Kryeministri Berisha i shpreh kreut të SHBA-ve, keqardhjen për këtë ngjarje duke i shprehur edhe ngushëllimet në emër të qeverisë por edhe të popullit shqiptar.

Telegrami i ngushëllimit i Kryeministrit Berisha:

“I dashur zoti President,

Me keqardhje të thellë mësova për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë të vendit tuaj dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje për familjet e viktimave, për ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan t’ju shpreh, edhe në emër të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor të të gjithë qytetarëve të vendit tim. Dëshiroj t’ju siguroj se shqiptarët ndajnë sot me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin e madh e mik amerikan hidhërimin për këtë humbje të madhe dhe i bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të gjejnë paqen e amshuar.

Me sigurimet e konsideratës dhe respektit më të lartë,

Juaji,

Sali BERISHA”

a.y/NOA

KOMENTE
  • Blerim Sopaj20:45 - 21 Qershor 2011
    Mua me perlqen Telegrami i presidentit Berisha po ashtu edhe mua më vjen keq për tragjedinë e uraganit në Joplin. Me Respekt "Blerim Sopaj"