English

Dialogu është interes i Kosovës

Nga Nexhmedin Spahiu

Imagjinoni sikur ta vizitonte Beogradin një zyrtar i Kosovës dhe aty të përgjakej policia serbe me demonstruesit serbë. Ç’ka do të thoshin shqiptarët në Kosovë? Do të thoshin: “Ah!Ua kajtëm nanën shkive”. Lexues të nderuar, vallë a nuk kanë thënë serbët të njëjtën gjë për përgjakjen në Prishtinë mes policisë së Kosovës dhe aktivistëve të Vetëvendosjes, ditën kur Stefanoviç vizitoi Prishtinën? Ky nuk ka qenë qëllimi i vizitës së Stefanoviçit në Prishtinë. Ai madje nuk erdhi në Prishtinë as me dëshirën e vet, e as me dëshirën e qeverisë së Serbisë. Stefanoviç erdhi në Prishtinë sepse u detyrua nga miqtë e Kosovës ta bënte këtë gjë. Po të mos ishte presioni i miqve të Kosovës (Uashingtonit e Brukselit), Beogradi nuk do të bisedonte fare me Prishtinën. Përse të bisedonte? Serbia është e pranishme në Kosovë për aq sa ajo ka nevojë të jetë. Serbia është e pranishme në Kosovë për aq sa ajo ka nevojë të jetë. Serbia dominon tregun e Kosovës dhe gjithë politika e Serbisë karshi Kosovës konsiston në ruajtjen e këtij dominimi. Kosova nuk mund t’i vendosë barriera ekonomike Serbisë, pasi nuk i kontrollon pikat kufitare 1 dhe 31. Fitimin e telefonisë fikse në Kosovë e merr Serbia, pasi Kosova e shfrytëzon akoma Kodin e Serbisë në mungesë të Kodit të vet. Kështu pra, sikur të mos ishte interesi i Serbisë për të hyrë në BE, presioni i Uashingtonit dhe i Brukselit mbi Beogradin, as që do të kishte dialog. Dialogu është interes ekskluziv i Kosovës. Këtë Kosova nuk e ka fituar vetë, por këtë mundësi ia kanë dhënë miqtë e saj ndaj të cilëve Kosova duhet të jetë mirënjohëse. Beogradi është nën presionin e miqve të Kosovës. Kosova ka dy rrugë për të zgjidhur problemet e saj me Serbinë: ose të lëshojë pe, ose ta detyrojë Beogradin të lëshojë pe. Që ta bëjë Beogradin të lëshojë pe duhet të bëjë presion mbi të. Dhe këtë mund ta bëjë në dy mënyra. E para është të dërgojë avionët e saj të bombardojnë Beogradin, derisa Ushtria e Serbisë të ngrejë flamurin e bardhë dhe qeveria e Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, Kosova nuk ka as avionë që do ta bombardonin Beogradin, e as terroristë që do ta terrorizonin atë deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe mirë që nuk i ka, sepse të gjithë pajtohemi se terrorizmi nuk avancoi asnjë çështje kombëtare në asnjë cep të globit, as në Spanjë, as në Irlandë e as në vendet Islamike. Atëherë e vetmja rrugë mbetet që përmes presionit të miqve tanë të ulim Beogradin në tryezën e dialogut. Qeveria nuk e sheh dialogun si një mundësi për t’i sjellë dobi Kosovës, por si një mundësi për të mbajtur pushtetin. Fatmirësisht, miqtë tanë këtë po e bëjnë edhe pa ua thënë ne. Për më tepër, klasa politike e Kosovës nuk është e vetëdijshme për këtë. Opozita e kundërshton dialogun, duke paragjykuar se Kosova asgjë nuk mund të arrijë përmes tij. As qeveria nuk di se çfarë dëshiron të arrijë përmes dialogut me Beogradin, por e pranon dialogun vetëm si një mundësi që të ketë në krah amerikanët, e me këtë edhe pushtetin. Pra, qeveria nuk e sheh dialogun si një mundësi për t’i sjellë dobi Kosovës, por si një mundësi për të mbajtur pushtetin. Edita Tahiri po ofendon Kristofer Dellin. Gafa nr. 1. Edita Tahiri deklaroi se është detyruar ta takojë Stefanoviçin pas presionit të miqve tanë. Kjo deklaratë e saj dëshmon se ajo as që e kupton qëllimin e dialogut, e aq më pak misionin e saj. Për më tepër, ajo i bën reklamë të keqe ambasadorit Kristofer Dell, sepse na del konkluzioni se çfarë miku na qenkësh ai që na detyron në gjëra të pakëndshme?!

Hajredin Kuçi e përmirësoi gafën e Editës.

Gafa nr. 2. Edita Tahiri deklaroi se nuk do ta vizitojë Beogradin derisa Beogradi të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Kjo gafë e Editës, shyqyr Zotit, u përmirësua nga kolegu i saj, Hajredin Kuçi, i cili menjëherë më pas deklaroi se “do të shkojë në Beograd kur e do interesi i shtetit të Kosovës”. Në fakt, për vizitën e Stefanoviçit është dashur të kërkohet data kur kryenegociatorja e Kosovës do ta vizitonte Beogradin me të njëjtin protokoll. Kur debatohej në mesin e faktorëve relevantë ndërkombëtarë, se kush do të mund të ishte kryenegociator i Kosovës, dominonte mendimi se sikur të jetë femër do të gëlltitet me lehtë vizita e saj në Beograd. Tani Edita ka vënë kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës për të shkuar në Beograd! Çka nuk kupton këtu Edita? Nuk e kupton se qëndrimi i shoqërisë serbe karshi Kosovës është fluid, ashtu siç është fluid qëndrimi i çdo shoqërie tjetër në botë karshi çështjeve të ndryshme. Ky qëndrim mund të ndryshojë, dhe Perëndimi po shpenzon miliarda euro që ky ndryshim të ndodhë në kahun e dëshiruar. Edita, si dhe klasa politike e Kosovës, si edhe e shumica e shoqërisë kosovare, nuk po e kuptojnë se Kosova mund të jetë partnere e rëndësishme në përkrahjen e projektit të Perëndimit për europianizimin e Serbisë. Kosova me veprimet e veta mund ta përshpejtojë procesin që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës. Presidenca e Kosovës në aut Gafa nr. 3. Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Ilir Deda, deklaroi se “vizita e Stefanoviçit ishte e hershme”. Kjo deklaratë tregon se as Iliri nuk e kupton procesin nëpër të cilin po kalon Ballkani. Nuk mund të jetë e hershme diçka që është në dobinë tënde. Kjo është sikur tjetri të vijë te dera dhe të të dhurojë një milion euro e ti t’i thuash “ngadalë se herët është kjo për mua, jam në gjumë, unë zgjohem më vonë.” Retushimi i fotove me flamujt kombëtarë të Kosovës dhe Serbisë. Gafa nr. 4. Më e rënda. Gjithë insistimi i aleatëve tanë për të sjellë Stefanoviçin në Prishtinë kishte qëllimin që një zyrtar i Prishtinës dhe një i Beogradit të fotografoheshin pranë flamujve të Kosovës e të Serbisë së bashku. Qëllimi ishte të ambientohet publiku në Serbi me Flamurin Kombëtar të Kosovës. Po çfarë ndodhi? Fotografitë u retushuan duke u hequr flamuri serb nga fotografia e takimit. Kjo edhe është gafa më e madhe e qeverisë së Kosovës. Nga po ecën kombi? Një aktivist i opozitës, që pati rastin ta lexojë këtë shkrim para se unë ta përfundoja, m’u lut që mos ta botoj: “Pse po ua tregon gafat? Lëri të vazhdojnë të gabojnë, se ndoshta me këto gafa i bëjnë nervozë amerikanët e na i heqin nga pushteti”. Kjo edhe mund të ndodhë, po puna është se çmimin e këtyre gafave nuk po e paguajnë autorët e tyre, por Kosova. Puna e intelektualëve është ta tregojnë rrugën e duhur, kurse puna e qeverisë dhe opozitës është të garojnë se kush do t’i prijë kombit dhe nëpër çfarë rruge do ta çojë atë.

KOMENTE