Tiranë, 24 maj 2011, NOA – Lideri i opozitës, njëherësh kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” për të katërtin mandat në Tiranë, Edi Rama deklaroi se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me numërimin e votave dhe shpalljen e rezultatit të mbrëmshëm ka konsumuar një kanibalizëm elektoral.
Shefi i selisë rozë në një konferencë për shtyp deklaroi se qeveria e Sali Berishës induktoi mbrëmë mesazhin se “Të vjedhësh është e moralshme dhe që përmes vjedhjes mund të realizohen qëllimet”.
“Ne nuk do ta njohim këtë rezultat, pasi nuk është shprehja e zgjedhjes së qytetarëve, por është frut i kanibalizmit të kryer nga KQZ dhe jemi shpresëplotë se do të rrëzohet në tryezën e drejtësisë”, deklaroi Rama, duke theksuar se PS do ta udhëheqë popullin në të drejtën e vet.
Sipas Ramës rezultati i djeshëm është një sëmundje akute e vendit dhe nuk përputhet askund me ligjin.
Rama theksoi se Saliu ka bërë llogaritë gabim, pasi votat e nxjerra në rezultatin e KQZ-së nuk përputhen me numrin e votuesve.
Sipas tij, kryeministri duhet të ndjehet i dëshpëruar për këtë gabim llogarish duke nënvizuar se ai do të mbajë përgjegjësi për këtë përpara popullit, ligjit dhe opozitës shqiptare.
“Ne do të konsumojmë betejën tonë në të gjitha instancat, kundër këtij regjimi që kërkon ta kthejë vjedhjen në ligj. Gjithë kjo problematikë do të ndiqet në të gjitha hapat ligjorë”, tha Rama duke theksuar se me këtë vjedhje regjimi i Berishës synon të dekurajojë opozitarizmin.
Rama tha se “Saliu kërkon të imponojë përmes vjedhjes një regjim që nuk përputhet me standardet demokratike të Europës”.
“Saliu ka përmbysur edhe aritmetikën, e jo më shifrat e tjera. Zgjedhjet i kemi fituar ne pasi jemi mandatuar në dy apo tre herë më shumë mandate në të gjithë vendin. Këtë betejë të mandateve për qeverisjen vendore e kemi fituar ne”, deklaroi Rama nga selia rozë.
Ai theksoi se “Rezistenca qytetare nuk do të ndalet në rrugën e rivendosjes së demokracisë”.
Këtu lideri i opozitës tha se kryeministri po godet me këtë vjedhje përveç demokracisë edhe vetë Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, duke e nxjerrë veten lakuriq në sytë e tërë partnerëve.
Këtu ai përmendi si sinjal të parë të qartë anullimin e vizitës së presidentit të KE-së Jose Manuel Barroso.
Kryetari i Partisë Socialiste falenderoi vëzhguesit e ODHIR-it dhe shefin e misionit Jonathah Stonestreet në emër të të gjithë shqiptarëve, pasi siç tha në raportin e tij la të shkruar në të bardhë me të zezë atë njollë që ka tashmë regjimi i vjedhjes së votës.
“Shpreh falenderimin më të sinqertë për ambasadorët e trojkës në Shqipëri, ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, atë të BE-së Ettore Sequi dhe të OSBE-së Eugen Volfart, të cilët i qëndruan shumë afër procesit dhe luajtën një rol kyç në transparencën dhe integritetin e votave në sytë e të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.
Ai ripërsëriti apelin për komunitetin ndërkombëtar duke i kërkuar të ndërhyjnë edhe më me forcë për të shpëtuar një proces që rrezikon ta fusë Shqipërinë në qorrsokak.
Shefi i opozitës e cilësoi kryeministrin tejet komik, kur thotë se ka fituar zgjedhjet, pasi ato i ka fituar “Aleanca për të Ardhmen” dhe Partia Socialiste.
mit/NOA