English

Fitorja “daltonike”

Nga Skënder Minxhozi

Dje ka marrë fund gara absurde për hapjen selektive të kutive të votimit të Tiranës, që do të nxirrnin fitues në tavolinë Lulzim Bashën. Ashtu siç pritej, kanë fituar ata që kanë reklamuar nevojën që kjo të ndodhte, dhe kanë humbur ata që u përpoqën ta ndalnin këtë gjë në tryezën e Ristanit. Dy ditë pas letrës së hapur të Kadaresë, e cila bënte thirrje për një tjetër zgjidhje nga kjo që pamë, politika shqiptare ka marrë turravrapin e saj klasik, për t’i rënë me kokë murit të betonit që ka përpara.

Me letrën e tij Ismail Kadare identifikoi se nga anon, në prizmin e logjikës qytetare, fokusi i zgjidhjes së problemit të këtyre zgjedhjeve. Do të ishte qesharake që shkrimtari më i madh i këtij vendi të akuzohej se është pjesë e një skeme çfarëdo për të larguar Bashën e kurorëzuar Ramën në krye të bashkisë. Ajo që duket për së largu, është se kur edhe Kadareja i pozicionuar qëllimshëm prej vitesh, larg kulisave politike të ditës, arrin të shkruajë një letër të hapur për t’i kërkuar tërheqjen njërit prej garuesve, situata është vërtet e rëndë, kurse perspektiva e saj edhe më e rëndë. Ky apel duket se ishte shembulli i fundmë dhe sublim i arsyes, që tentoi të ndalojë avancimin e së keqes në këtë vend.

Nga ana tjetër, me përgjigjen që dha, e cila i shtohet qëndrimeve të pasvotës së 8 Majit, Lulzim Basha vetëm sa na e provoi edhe një herë atë që dimë prej kohësh, e që më kot u mundua ta fshijë me pesë javë fushatë: ai është një shtojcë politike e Kryeministrit të vendit, një kartë që po përdoret hapur edhe në këto orë delikate, sipas dëshirës së njeriut që nuk e njeh humbjen, në asnjë rrethanë dhe formë.

KQZ mori dje vendimin që pritej. Nuk mjaftuan thirrjet e trojkës së ambasadorëve një javë më parë, deklarata e ambasadorit Arvizu për rezultatet paraprake dhe as Raporti Interim i OSBE-ODIHR-it, që i thoshte açik të vërtetat e servilizimit politik të këtij institucioni. Nuk mjaftoi as apeli i Komisionit Europian në Bruksel, se “s’mund të ketë dy rezultate për Tiranën”, apo deklaratat e zyrtarëve e diplomatëve perëndimorë. KQZ-ja na tregoi se kush ka fituar, sipas saj, në Tiranë, plot 15 ditë pas momentit të votimit. Mjafton kjo tjerrje biblike e procesit, për të kuptuar sa i drejtë ka qenë procesi.

Por zullumi nuk ndalet këtu. Në pesë ditë hapje abuzive të 125 kutive të votimit për minibashkitë, 173 vota të reja shkuan në favor të Lulzim Bashës dhe 83 në favor të Edi Ramës. Si në një film thriller amerikan, ku njihen qysh në fillim “të mirët” dhe “të ligjtë”, fituan ata që bënë presion për nisjen e këtij procesi totalisht antiligjor. Si me porosi, e kjo është vërtet e habitshme, na doli se demokratët gabokan më shumë se pleqtë e PS-së para kutive. Sipas Berishës, kjo ka ndodhur për shkak se mes tyre paska shumë votues daltonikë dhe shumë të tjerë që kanë pasur emocion kur janë gjendur para kutive, për të hedhur votën për Bashën. Dy justifikime që në rrethana të tjera do i bënin të shqyheshin gazit ata që i dëgjonin, por që në situatën e sotme veçse e bëjnë edhe më therës dramaticitetin dhe paradoksin e momentit. Nëse kryeqyteti fitohet në tavolinë me të tilla banalitete, atëherë e gjithë gara e ka humbur kuptimin e saj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të përmbysë rezultatin në favor të Bashës, duke rivlerësuar votat në kutitë për minibashkitë. Një veprim i cili, sipas arbitrave zyrtarë të zgjedhjeve, trojkës së ambasadorëve dhe OSBE-ODIHR-it, ka qenë i paqartë nga ana ligjore. Në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë hidhet hapur dyshimi se kjo që ka ndodhur ishte një kthesë e papritur, në kushtet kur Rama doli fitues dhe se ato vota rëndom janë konsideruar të pavlefshme. Duke e parë si mesin e artë këtë qëndrim të “palës së tretë” në këto zgjedhje, mund të bëjmë deduksionin e thjeshtë se sot, Edi Rama po humbet vetëm në sajë të shqyrtimit të një pjese të vogël të mbi 6000 votave të pavlefshme të Tiranës. Pikërisht atyre votave që ishin hedhur gabim. Në qoftë se do të shiheshin të gjitha votat e pavlefshme në kryeqytet, që janë jashtëzakonisht shumë, krahasuar me diferencën mes kandidatëve, afërmendsh rezultati do të ndryshonte në mënyrë radikale. Por janë marrë vetëm votat “daltonike” të njërës palë, për të kthyer përmbys në kulisat e KQZ-së atë që doli në dritën e diellit nga fushëbeteja e 8 Majit. Kemi pra, deri tani, një fitimtar që ka dalë në krye “gabimisht”!

Me 78 vota avantazh në tavolinë, Lulzim Basha ka luksin që të mos jetë ai ankimuesi në Kolegjin Zgjedhor. Një barrë që i kalon tashmë opozitës, që të trokasë në të njëjtën derë ku dy vjet më parë nuk gjeti drejtësi për hapjen e kutive të 28 qershorit. Megjithatë, kjo krizë është cilësisht dhe institucionalisht e ndryshme nga ajo e dy vjetëve më parë. Kolegji Zgjedhor mbetet instanca e fundit ku shpresohet të mos bëhet politikë, por interpretim ligjor. Paradoksalisht ky objektivitet e baraspeshim politik, po i kërkohet një institucioni që s’e ka konsensusin politik që kishte KQZ-ja ditën që u votua. Çfarë ironie!

KOMENTE