English

Grupi i PS: Protesta, nëse Kolegji Zgjedhor nuk shpall fitues Edi Ramën

Tiranë, 24 maj 2011, NOA – Deputetët e Partisë Socialiste kanë paralajmëruar një revoltë popullore në mbarë vendin në rast se Kolegji Zgjedhor nuk hedh poshtë rezultatin e KQZ-së, duke shpallur fitues të garës për bashkinë e Tiranës, kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama.

Burime nga selia rozë thanë për agjencinë NOA se ky është vendimi që morën sot deputetët socialistë gjatë mbledhjes së grupit kuvendor, e mbajtur pas konferencës me mediat të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.

Sipas burimeve, selia rozë është tashmë në pritje të vendimit që do të marrë Kolegji Zgjedhor në 26 maj, dita kur trupa e gjyqtarëve do të marrë në shqyrtim ankesën e Partisë Socialiste për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Eksponentë të Partisë Socialiste theksuan se në rast se Kolegji nuk i jep të drejtën kandidatit Edi Rama, Partia Socialiste do të nisë protestat në mbarë vendin.

Mbledhja e grupit të deputetëve të Partisë Socialiste erdhi pas kundërshtimit prej disa ditësh të numërimit të fletëve të kontestuara si vota të vlefshme nga KQZ, numërim i cili pasoi me ndryshimin e tabelës së rezultatit për kandidatët për kryetar bashkie në tabelën e KZAZ-së së njësisë 5, por edhe të rezultatit paraprak për bashkinë e Tiranës, duke i dhënë një fitore Lulzim Bashës me 81 vota më shumë se kandidati Edi Rama.

Gjithashtu deputetët e PS-së në mbledhjen e sotme vendosën të bojkotojnë seancat plenare në Kuvend dhe komisionet parlamentare.

mit/NOA

KOMENTE