English

Letra: Emir Kusturica, një përkrahës i kriminelëve të luftës

Sarajevë, 24 maj, NOA - Regjisorët boshnjakë Jasmila Zhbaniç dhe Haris Pashoviç u kanë dërguar letër të hapur drejtorëve të Festivalit të Filmit në Cannes në të cilën kanë shprehur habinë për “standardet e dyfishta të festivalit”.

Letra dërguar në adresë të Thierry Fremont dhe Gilles Jacob, është publikuar nga shumica e mediave boshnjake, të hënën, vetëm një ditë pas përfundimit të edicionit të 64-të ngjarjes së madhe, në të cilën filmi “The Tree of Live“ i Terrence Malick fitoi Palmën e Artë. Në letrën e tyre ata kanë përshëndetur vendimin e festivalit për t’u distancuar nga regjisori danez Lars Von Trier, “njeriut i cili haptazi është simpatizant i fashizmit”. Por njëkohësisht për dy regjisorët nuk e kanë të qartë qasjen ndaj regjisorit serb Emir Kusturica.

"Jemi të habitur me standardet e dyfishta të festivalit në raport me regjisorin serb, Emir Kusturica, përkrahës shumëvjeçar i kriminelëve të luftës që janë bërë në Ballkan gjatë viteve ‘90", shkruajnë Zhbaniç e Pashoviç në letrën e tyre. Më tej ata shkruajnë se “gjatë rrethimit të Sarajevës prej vitit 1992 deri më 1995, shumë intelektualë evropianë kanë ngritur zërin kundër shkatërrimit të saj, përderisa Emir Kusturica, i lindur në Sarajevë, xhironte filma që sponsorizoheshin nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Milosheviç".

Zhbaniç dhe Pashoviç kanë kërkuar nga drejtori i festivalit që “të aplikohen standarde të njëjta për të gjithë ata që përkrahin kriminelë lufte, duke përfshirë edhe Emir Kusturicën".

"Madje edhe sot Emir Kusturica përkrah Radovan Karaxhiçin; e quan atë hero dhe interpreton këngë të cilat në mënyrë ‘poetike’ promovojnë heroizmin e tij, ani pse në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, ai po gjykohet për gjenocidin në Srebrenicë dhe vrasjen masive të joserbëve nëpër kampet anekënd Bosnjës", thuhet në letrën e hapur.

Festivali i Cannes, shkruajnë me tej dy regjisorët e njohur boshnjakë, është njëra prej ngjarjeve e filmit nga më të mëdhatë në botë dhe për këtë ka përgjegjësi ndaj publikut në gjithë botën e veçmas këtë vit, kur jemi dëshmitarë të trendit në rritje të fashizmit evropian.

Emir Kusturica, në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Cannes ka qenë kryetar jurie për kategorinë “Un Certain Regard”.

NOA

KOMENTE