Në të gjitha format e shkollimit të Suedisë janë të përfshirë mëse 15 mijë nxënës shqiptarë. Për çka u kritikua Ambasada e Kosovës në Stockholm?
Landskrona të Suedi, 24 maj 2011 NOA/ Ramadan Seitaj - Mësuesit e gjuhës amtare shqipe në shkollat e Suedisë, u takuan në Konferencën Tradicionale të tyre në Landskorna, në të cilën shkëmbyen përvoja pune dhe debatuan për përparimin e mëtutjeshëm të këtij lloj mësimi.
Në mesin e 60 mësuesve shqiptarë nga shkollat e 35 komunave të Suedisë, ishin edhe mësuesit e gjuhës amtare shqipe që përfaqësonin shkollën shqipe në Kopenhagë të Danimarkës. Përpos përfaqësuesve të komunës së Landskronës, në Konferencën e Shtatë, morën pjesë edhe Mats Wennerholm nga Enti i shkollave të Suedisë, Skolverket, Agim Bërdynaj, drejtor i departamentit për zhvillimin e arsimit paraunversitar pranë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë të Republikës së Kosovës, prof dr Edi Shukriu dhe prof dr Muhamet Shatri.
Temë kryesore e kësaj konference e cila organizohet nga Enti Shkollor i Suedisë, në bashkëpunim me grupin e punës nga Landskrona që administron faqen e gjuhës amtare shqipe "Temaplats Albanska", ishte Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe njoftimin e mësuesve për mundësitë e bashkëpunimit që ofron faqja e gjuhës amtare shqipe "Temaplats Albanska".
Ku ka nxënës me prejardhje shqiptare ka edhe mësim plotësues në gjuhën shqipe
Konferencën e Shtatë, në emër të organizatorit e hapi Muhamet Muriqi, përgjegjës për webfaqen ”Temaplats Gjuha Shqipe”, i cili pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe mysafirët foli për rëndësinë e takimeve të këtilla të mësimdhënësve shqiptarë, të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhën amtare shqipe si dhe për kontributin që po jep faqja e internetit ”Temaplats Albasnka” për kontaktet dhe informimin me rrjedhat aktuale në lëmin e arsimit. Faqja, tha ai, është e hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë, duke filluar nga njoftimet e shkurtra dhe diskutimet rreth temave të caktuara e deri te botimi i teksteve dhe mjeteve mësimore të përgatitura nga vetë mësuesit shqiptarë në Suedi. Faqja do të ketë edhe kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit ku do të publikohen të gjitha risitë nga kjo Ministri që kanë të bëjnë më Mësimin Plotësues në Diasporë.
Tomas Johansson, drejtor i drejtoratit për arsim dhe Mona Axelsson, rektore e shkollës për mësimin plotësues në gjuhën amtare në Landskrona theksuan kontributin e komunës së tyre në mbështetjen e nxënësve që kanë prejardhje nga vendet e ndryshme të botës.
Pasi tha se të gjitha analizat e deritashme kanë treguar se nxënësi që njeh mirë gjuhën e tij amtare arrinjë suksese edhe në lëndët që zhvillohen në gjuhën suedeze, Tomas Johansson theksoi se komuna e Landskronës, sikurse edhe komunat tjera në Suedi vazhdimisht mbështet mësimin plotësues në gjuhën amtare të nxënësve dhe atyre në çdo shkollë u siguron kushte bashkëkohore dhe arsim të drejt. Ndërkaq Mona Axelsson tha mes tjerash se në shkollat e Landskronës janë të angazhuar mëse 30 mësues që zhvillojnë mësimin në gjuhën amtare të nxënësve me prejardhje josuedeze e që paguhen nga komuna. Në mesin e nxënësve që suedishten nuk e kanë gjuhë amtare, aktualisht grupin më të madh e përbëjnë nxënësit me prejardhje shqiptare dhe ne jemi të kënaqur me punën dhe angazhimin e tyre.
Zyrtari i lart i Entit shkollor suedez, Skolverket, Mats Wennerholm, i cili njëherazi edhe është përgjegjës për projektin në nivel vendi ”Tema modersmål” (Tema gjuha amtare), tha se nga 290 komuna sa ka gjithsej Suedia, mësimi plotësues në gjuhën amtare shqipe aktualisht zhvillohet në 197 sish. Statistikat më të freskëta tregojnë se në të gjitha format e shkollimit, pra duke filluar nga çerdhet e fëmijëve dhe entet parashkollore, e deri në gjimnaz, në Suedi ka mëse 15 mijë nxënës që për gjuhë amtare kanë gjuhën shqipe. Me fjalë të tjera, pothuajse kudo që janë të vendosur shqiptarët, ka edhe mësim plotësues në gjuhën amtare shqipe, sepse me Ligjin suedez për shkollat kudo që ka 5 e më shumë nxënës të cilët gjuhë amtare nuk e kanë suedishten, ekziston e drejta që ata, disa orë mësimore në javë, të mësojnë në gjuhën amtare të tyre. Pos kësaj, gjithnjë sipas Ligjit suedez të arsimit, çdo nxënës në shkollat suedeze ka të drejt që vet të bëjë përzgjedhjen e mësimit të gjuhës së dytë. Në këtë përzgjedhje, hynë edhe gjuha shqipe e cila është plotësisht e barabartë me gjuhët tjera. Në saje të zhvillimit të teknologjisë dhe mbështetjes nga Skolverket, krahas gjuhëve të tjera, edhe shqipja mund të mësohet nga distanca.
Wennerholm tha gjithashtu se aktualisht numri i nxënësve që për gjuhë amtare kanë gjuhën shqipe, përbënë grupin ndër më të mëdhatë në shkollat e Suedisë.
Kosova do të ndihmojë shkollat e diasporës
Drejtori i departamentit për zhvillimin e arsimit paraunverzitar të MASHT të Kosovës, Agim Bërdynaj para pjesëmarrësve të kësaj konferenceje foli për përpjekjet që po bën Ministria e Arsimit e Kosovës për të ndihmuar mësimin plotësues në Diasporë.
Ai informoi për botimin e teksteve të integruara për nxënësit që vijojnë mësimin në SHSHMP në diasporë si dhe për organizimin e Seminarit Mbarkombëtar për mësuesit e gjuhës amtare në diasporë, që, sipas të gjitha gjasave sivjet do të mbahet në fund të korrikut, në Pejë.
Jam në mesin tuaj për t´u njohur me punën që po bëni, për hallet dhe për sfidat që
po ballafaqoheni, por njëkohësisht edhe për të marrë përgjegjësinë në emër të institucioneve të Kosovës se si të arrijmë bashkërisht rezultate edhe më të mira. Diaspora e ka ndihmuar shumë Kosovën, tash është radha që të bashkërendisim punët, t´u mbështesim dhe t´u ndihmojmë në këtë punë bujare e kombëtare që po bëni. Dhe konkretisht që nga sigurimi i teksteve unike shkollore për nxënësit e mërgatës dhe nevojat tjera, tha Bërdynaj, i cili duke shfrytëzuar praninë edhe të përfaqësuesve të institucioneve shkollore suedeze, shprehu edhe dëshirën e shkëmbimit të përvojave në lëmin e arsimit parauniversitar në mes të Suedisë dhe të Kosovës. Ai para mësuesve bëri edhe prezantimin e një ekzemplari të monografisë "Shkolla Shqipe në Suedi" duke i informuar ata se libri është dërguar për t´u shtypur me mbështetje nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe se promovimi i tij do të bëhet gjatë seminarit të sivjetshëm për mësuesit e diasporës.
Tekstet u janë dedikuar nxënësve dhe jo zyrave të ambasadës!
Gjatë punimeve të konferencës, erdhën në shprehje edhe disa shqetësime të mësuesve të këtushëm. Kështu mësuesi Hetem Begu dhe mësues të tjerë bënë vërejtje për sjelljet e Ambasadës së Kosovës në Stockholm, e cila, siç thanë, nuk po bënë atë që duhet bërë në shpërndarjen e teksteve shkollore që kanë ardhur nga Kosova për nxënësit shqiptarë në Suedi. Diskutuesit pyesnin me të drejt se përse vetë mësuesit personalisht duhet të shkojnë në Ambasadën tonë në Stockholm për të marrë këto libra. Këto janë shpenzime të panevojshme, duke marrë parasysh territorin e gjërë të Suedisë dhe kilometrat e shumtë që kanë vendbanimet tjera ku ka mësim shqip me Stockholmin. Diskutuesit thanë se, edhe pse këto libra janë pa pagesë, në bisedë me drejtoritë e shkollave është shprehur gatishmëria që ato të paguhen, dhe gjithsesi qëndrojnë pas shpenzimeve të postës.
Mësuesit që tashmë janë furnizuar me këto tekste shkollore, treguan se personalisht kanë udhëtuar për Stockholm dhe falënderuan personelin e ambasadës për mirëpritje. Por mundësinë e udhëtimit deri në Stockholm për të marrë tekstet që janë deponuar në ambientet e ambasadës, nuk e kanë të gjithë mësimdhënësit.
Pa të kaluarën – nuk ndërtohet e ardhmja
Një interesim mjaft të madh tek pjesëmarrësit e kësaj konference zgjuan ligjëratat e Prof Dr Edi Shukriut, e cila për mësuesit shqiptarë në Suedi kishte ardhur enkas nga Kosova. Gjatë ditës së parë të punimeve të Konferencës, dr Shukriu mbajti ligjëratën "TRASHËGIMIA KULTURORE E KOSOVËS: E KALUARA DHE MODERNITETI", kurse ditën e dytë ligjëratën "VENDBANIMET E HERSHME KODRINORE NË KOSOVË: GJUHA DHE KUPTIMI". Ligjërimet e kësaj ekspreteje ishin bindëse dhe të ilustruara me të dhëna konkrete e të përcjella me metoda bashkëkohore të ligjërimit. Moto e të dy këtyre ligjëratave ishte porosia se pa të kaluarën nuk ndërtohet e ardhmja. Përmes zbulimeve të më hershme dhe atyre që kishte bërë vet profesoresha me bashkëpunëtorë, njeriu forcon identitetin kombëtar dhe shton mburrjen e krenarinë me të kaluarën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Në konferencë u vendos që të përpilohet një regjistër me emrat dhe adresat elektronike të mësuesve shqiptarë që punojnë në shtetet Nordike në mënyrë që të lehtësohet kontakti në mes të mësuesve. Mësuesit pjesëmarrës në konferencë u regjistruan në këtë regjistër dhe ketë mundësi do ta kenë të gjithë mësuesit e gjuhës amtare.
Gjatë konferencës, sikurse edhe herëve të tjera, mësimdhënësit shqiptarë demonstruan përvojat e tyre në punën me nxënës dhe prezantuan të arriturat gjatë dy konferencave. Kështu Hetem Begu, bëri prezantimin e programit “Softogram” program kompjuterik i përkthyer në gjuhën shqipe, kurse Xhevat Isufi u paraqit me temën “Ekskursionet në Atdhe, ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kombëtar të nxënësve tanë në diasporë”. Qerim Raqi prezantoi dy libra të tij të botuar kohëve të fundit.
U punua edhe në grupet punuese ku u diskutua për testet e reja për klasën e tretë, gjashtë dhe nëntë, të bazuara në planprogramet e reja të Entit Shkollor të Suedisë (Skolverket). Pati shumë propozime konkrete për mënyrën e përpilimit të këtyre testeve.
Konferenca e mësuesve shqiptarë në Suedi është edhe një dëshmi për punën që këta mësimdhënës po bëjnë me nxënësit shqiptarë këtu si dhe për mbështetjen e parezervë që po bën shteti suedez për nxënësit që kanë prejardhje tjetër etnike.
r.r/e.t/NOA