English

Metoda të reja policore, nis punëtoria treditore në Kosovë

Vushtri, 24 maj 2011 NOA – Ka nisur në Vushtrri punëtoria treditore për “Metodologjinë e re të punës policore”. Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se në këtë punëtori që është përkrahur nga misioni i OSBE-së në Kosovë, pjesëmarrës krahas drejtorit të përgjithshëm të PK-së, z.Reshat Maliqi dhe zëvendës drejtorit të përgjithshëm për operative z. Shpend Maxhuni janë edhe katër drejtorë rajonalë të PK-së, zyrtarë të OSBE-së, EULEX-it, OJQ-ve, dhe zyrtarë të tjerë të PK-së.

Hartimi i dokumentit për metodologjinë e re të punës me elementin e aktiviteteve policore në komunitet, bëhet pas një analize të gjendjes aktuale të funksionalizimit të veprimtarisë policore, miratimit të Planit Zhvillimor Strategjik 2011-2015 të Policisë së Kosovës si dhe duke u bazuar në përvojat dhe praktikat e suksesshme të organizatave policore homologe të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe ShBA-së.

Metodologjia e re e punës që është një qasje proaktive në drejtim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit do të realizohet duke u bazuar në ligjet pozitive, strategjitë nacionale të aprovuara, objektivat dhe prioritetet e institucioneve shtetërore si dhe në vlerësimet dhe rekomandimet e faktorëve relevant ndërkombëtar(OSBE, ICITAP, EULEX, FRIDOM).

Projekti i tillë ka synim përmbushjen e misionit, vizionit dhe vlerave të PK-së, në avancimin e parametrave të sigurisë publike, përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të qetë për shoqërinë në përgjithësi.

Kryerja e aktiviteteve policore në komunitet e ndërlidhur me aktivitetet policore të udhëhequra nga inteligjenca është një qasje proaktive, qasje e decentralizuar me qëllim të zvogëlimit të kriminalitetit, shqetësimeve dhe frikës nga kriminaliteti.

Ky model i aktiviteteve policore kërkon angazhim intensiv afatgjatë të policisë me anë të së cilës fuqizohet edhe më tepër partneriteti në mes të policisë dhe qytetarëve duke synuar fuqizimin e besimit të ndërsjellë polici-qytetarë.

Këtë e theksoi edhe drejtori i përgjithshëm i PK-së në fjalimin e tij para të pranishmëve në këtë punëtori:

“Me ngritjen e prezencës policore në teren Policia e Kosovës do të fuqizon parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit. Kjo metodë e punës ka shumë përparësi pasi ne do të jemi më afër qytetarëve, me këtë do të ngrihet gjendja e sigurisë dhe ajo që është shumë e rëndësishme për secilën polici është fuqizimi i partneritetit me qytetarë dhe ofrimi i shërbimeve të policisë sa më afër qytetarit”- theksoi Maliqi.

Projekti-pilot i tillë do të shtrihet fillimisht në katër stacione policore me kohëzgjatje prej tre muajve dhe praktikat më të mira të nxjerra nga ky projekt do të shfrytëzohen në tërë territorin e Kosovës.

a.b/NOA

KOMENTE