English

PD: Rama, kanibalizëm është të thuash se votat e qytetarëve nuk kanë vlerë

Tiranë, 24 maj 2011, NOA- Kandidatja kryesore e Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku deklaroi sot se kryesocialisti Edi Rama nuk dëshiron të dëgjohet zëri i qytetarëve sepse nuk i pëlqen ajo që ata kanë thënë.

“Gara në këto zgjedhje ishte shumë e ngushtë dhe rrjedhimisht lind pyetja: A duhet të numërohet çdo votë dha a duhet të dëgjohet zëri i çdo qytetari. Edi Rama që në fillim është investuar fortë që të krijojë paqartësi,mbi këtë çështje, sepse ai do të fshehë faktin se nuk donte që çdo votë të numërohej. Ai nuk do që të dëgjohet zëri i çdo qytetari sepse atij nuk i pëlqejnë ato çka qytetarët kanë për të thënë”, deklaroi Tabaku.

Më tej ajo theksoi se Rama pasi është përpjekur që të ndalojë numërimin e çdo vote, po përpiqet të dëmtojë institucionet demokratike, në vend që të pranojë publikisht, se për të këto vota nuk kanë vlerë.

Duke iu kundërpërgjigjur kreut të socialistëve ajo tha se, nuk është kanibalizëm të përfshish në proces çdo votë, por është kanibalizëm të thuash se votat e disa qytetarëve nuk kanë vlerë.

Tabaku theksoi se kanibalizëm është të akuzosh pa fund dhe pa baza duke hedhur baltë dhe dyshime mbi një proces që ishte më transparenti deri më tani.

Duke vijuar në këtë linjë ajo e cilësoi si kanibalizëm përdorimin e një gjuhe kërcënuese, bllokimin e rrugëve dhe rrethimin e institucioneve në përpjekje për ti dëmtuar ato dhe imazhin e vendit.

“Pse, pa asnjë bazë e asnjë fakt, Edi Rama thotë se është e paligjshme të numërohet çdo votë, kur Kushtetuta jonë garanton se çdo votë është e barabartë? Pse Edi Rama shpik histori absurde për administrimin e kutive, kur siguria e tyre është e vërtetuar, ato janë të vulosura dhe u hapën drejtpërsëdrejti në televizion në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë? Përse Edi Rama thotë se do të përdorë çdo opsion ligjor dhe nëse nuk ndryshohet rezultati dhe nëse ai nuk shpallet fitues – ai nuk do ta pranojë rezultatin, në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë?”, deklaroi ajo.

Në përfundim Tabaku theksoi se Edi Rama duhet të mbajë konferencë për shtyp dhe ti përgjigjet pyetjes më të madhe që kanë qytetarët në mendje: Përse Edi Rama do që të përjashtojë votat e qytetarëve?

a.y/NOA

KOMENTE