Arben Muka
Megjithëse procesi zgjedhor në Shqipëri nuk është mbyllur ende, ngaqë priten shqyrtimet e ankesave, që kanë palët, sërish një nga veçoritë, që është konstatuar tani, është prezenca e shtuar e ndërkombëtarëve.
Analisti Fatos Lubonja e mendon afërsinë e komunitetit ndërkombëtar në çdo fazë të deritanishme të procesit zgjedhor lokal, si një fakt, si një provë konkrete, që sipas tij tregon se demokracia shqiptare është ende në një fazë infantile.
Lubonja: Mungojnë institucionet e pavarura
Proceset demokratike, që nisën në Shqipëri nga fillimi viteve '90, do të duhet të ndërtonin institucione të pavarura, në mënyrë që të bëjnë arbitrin e ndershëm në konflikte, apo çështje që janë në diskutim mes palëve, politike ose jo, thotë për radion DW seksioni shqip, Fatos Lubonja.
“Për fat të keq ne këtë akoma nuk e kemi bërë dhe tentojmë që ta zëvendësojmë me ndërkombëtarët. Pra, gjykatat e pavarura, komisionet zgjedhore kredibël, shoqëri civile që bën presion, intelektualë të pavarur - të gjitha këto na mungojnë dhe ne përpiqemi që këto t'i zëvendësojmë me ndërkombëtarët. Ndryshe nga fillimet e viteve '90 kur ndërkombëtarët, ndoshta ashtu dhe ne, kishin më shumë shpresë se demokracia do të ecte më shpejt në vendet ish komuniste. Tashmë ata i janë adaptuar idesë se ky është një proces i gjatë. Atyre u pëlqen edhe një lloj paternalizmi, që duan të kenë mbi këto vende, ndaj dhe nuk janë shumë të revoltuar ndaj këtyre gjërave, që shikojnë.”
Analisti i njohur shqiptar Fatos Lubonja arsyeton se përkundrazi ndërkombëtarët nën logjikën e ruajtjes së ekuilibrave, stabilitetit rajonal, shikojnë në një këndvështrim më të gjerë në zgjidhjet, që ofrojnë, pra në një kontekst më të madh se Shqipëria. “Nuk mund të përjashtohen këtu dhe ato interesa të natyrës ekonomike, që ndërkombëtarët kanë në vendin tonë”, thotë Lubonja.
Baxhaku, prezencën e ndërkombëtarëve e sheh në dy aspekte
Analisti Fatos Baxhaku prezencën e shumtë të ndërkombëtarëve në ditën e votimeve, por në mënyrë të veçantë në procesin e numërimit të votave në njërën prej njësive administrative të Tiranës e “lexon” në dy aspekte. Sipas tij, aspekti i parë është pozitiv, sepse po të mos ishin ata kushedi se si do të kishin vajtur punët me kutitë dhe me votat. Por në anën tjetër, teksa rri e vështron që në çdo hap të një procesi, ku ka shqiptarë, të cilëve ligji u jep përgjegjësi dhe të drejta për të bërë punën dhe në krah të tyre diplomatë dhe monitorë të huaj, atëherë kjo të lë një shije jo fort të këndshme si qytetar, thotë Baxhaku për DW.
“Për klasën politike, që ne kemi, e cila është e kompleksuar ndaj të huajve, e cila është e kompleksuar ndaj vetes, e kompleksuar ndaj popullatës duke krijuar këtë katrahurë, që ka krijuar. Jo pa qëllim kodi elektoral i sajuar nga dy partitë më të mëdha politike, ka lënë shumë ‘vrima' bosh. Me synimin që të dyja palët në një kohë të caktuar të përfitojnë nga njëra-tjetra. Pra ne kemi një klasë politike e ndarë më dysh sipas pozicioneve, ku njëra palë ka frikë se vidhet dhe pala tjetër ka shumë dëshirë të vjedhë”.
Sipas analistit Fatos Baxhaku, sa kohë do të jetë kështu, atëherë kjo tregon se nuk jemi të shkëputur nga koha e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, kur vendi u shpall i pavarur, nga koha e Princ Wied-it, nga koha kur një fuqi e madhe gjithmonë vendoste për ne. “Ndjehem sinqerisht në faj në këtë pozicion, ku ndodhet klasa politike pas dy dekadave, që kur nisën proceset demokratike”, thotë Fatos Baxhaku.