Mbrëmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke vepruar si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën mori vendimin përfundimtar për të garantuar që çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar. Gjatë gjithë këtij procesi u mbrojt me rigorozitet integriteti i votës, dhe çdo kuti ku ndodheshin këto vota dhe që kishin vulat dhe kodet unike, u hapën, votat u vlerësuan, dhe numërimi i tyre u krye drejtpërsëdrejti në televizion para syve tuaj.
Mbi 250 mijë qytetarë votuan në këto zgjedhje, më shumë se ndonjëherë më parë në historinë e Tiranës. Është një e drejtë themelore, e mishëruar në Kushtetutën tonë, në kushtetutën Europiane të të drejtave të Njeriut, është një e drejtë universale e gjithë njerëzve të lirë, që çdo votë të numërohet. Dhe tani, çdo votë është numëruar, dhe zëri i çdo qytetari ka pasur shansin të dëgjohet. Kjo është një fitore e vërtetë, fitore e demokracisë.
Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që votuan në këto zgjedhje. Ju i dhatë zërin tuaj këtij procesi. Dhe ju keni folur qartë. Në vend të betejave politike ju doni zgjidhje.
Kjo ishte një garë e ngushtë, por sidoqoftë këto janë zgjedhje, me të cilat Tirana mund të ndihet vërtet krenare. I gjithë procesi i votimit dhe numërimit në këto zgjedhje ishte i drejtë, transparent dhe i saktë.
Eshtë më e lehtë për demokracinë të funksionojë kur kemi rezultate zgjedhore të thella, por demokracia vihet në provë kur gara është e ngushtë. Ne nënshtruam emocionet tona dhe pritëm qetësisht që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej.
Qytetarët janë të entuziazmuar për të ardhmen e qytetit tonë, për një politikë të një lloji të ri dhe një qeverisje vendore të një lloji tjetër. Qytetarët gjithashtu e kanë vlerësuar respektin institucional që ne kemi dëshmuar dhe mënyrën se si reaguam gjatë gjithë procesit pas-zgjedhor.
Unë besoj se ne ndryshuam mënyrën se si funksionon politika, ndryshuam perceptimin e asaj se çfarë do të thotë të jesh zyrtar i zgjedhur. E gjithë kjo u arrit duke ju ndjerë, duke ju vendosur - siç e meritoni - ju të parët.
Për ne, mbi të gjitha qëndronte detyrimi i të numëruarit të çdo vote, edhe të votave kundër nesh, në mënyrë që çdo zë të dëgjohej.
Tashmë, duket qartë se ka shumë entuziazëm dhe unë, pse t’ua fsheh, nuk jam jashtë kësaj atmosfere. Rezultati i shpallur mbrëmë tregoi se 81 bashkëqytetarë më shumë votuan për mua.
Por unë do të pres deri në përfundimin e plotë të procesit. Procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim te plotë tek institucionet. Dhe pasi të jenë shqyrtuar të gjitha kërkesat nga të gjitha palët, do të kryhet certifikimi përfundimtar i rezultatit. Më pas, ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta çuar Tiranën përpara, shumë përpara, ashtu siç ajo e meriton.
Siç gjithkush e di, guri themeltar i demokracisë qëndron në faktin se, nuk vendos as unë, as Z.Rama se kush fitoi apo humbi; sepse e përsëris, ju jeni të parët dhe e gjithë kjo varet nga ju.
Kjo ishte një garë shumë e ngushtë dhe një garë e ngushtë të përball pashmangshmërisht me sfida, por sfidat në vetvete sjellin mundësi të reja. Interesi madhor i këtyre zgjedhjeve është më i madh se çështja kush fiton apo humbet.
Në këtë moment emocionesh të forta të të dyja palëve, më lejoni t’u ftoj për një refleksion të qetë, për sa më shumë qetësi dhe respekt ndaj institucioneve sepse kjo është më e mira që mund të bëjmë të gjithë bashkë për qytetin tonë, për Tiranën. Sot jemi plot besim për triumfin e procesit demokratik, triumfin e numërimit të çdo vote dhe dëgjimit të zërit të çdo qytetari.
*Deklarata e Lulzim Bashës pas shpalljes së rezultatit nga KQZ