English

Vizat, Malmstrom: Masë sigurie për vendet e Ballkanit Perëndimor

Bruksel, 24 maj 2011, NOA – Pas rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Serbia e Maqedonia në vendet e BE-së, Komisioni Europian mund të rivendosë në të ardhmen sistemin e vizave për Ballkanin Perëndimor, në rast se do të abuzohet me rregullat e vendosura për lëvizjen e lirë.

Kjo u deklarua sot në një konferencë për shtyp nga komisionerja e Bashkimit Europian për Sigurinë në BE, Sesilia Malmstrom.

Malmstrom bëri me dije se KE ka propozuar një klauzolë sigurie për rivendosjen e sistemit Shengen, atëherë kur evidentohen shkelje të rregullave.

“Duhet të sigurohemi që nuk do të ketë abuzime me marrëveshjen për heqjen e vizave. Prandaj unë po propozoj një klauzolë sigurie për rrethana shumë të veçanta. Kjo është një masë që mund të merret pasi të jenë ezauruar tentativat e tjera”, tha Malmstrom.

Sipas Malmstrom paragrafi i shtuar në këtë marrëveshje do të vlejë për të ardhmen, duke i dhënë sigurinë Brukselit se nëse ekziston diçka, ekziston edhe mundësia që në mënyrë të përkohshme ta pezullojme liberalizimin e vizave.

Ajo theksoi se klauzola po diskutohet pikërisht për Ballkanin Perëndimor, pasi janë evidentuar probleme me disa vende të rajonit.

“Ne po diskutojmë me këto shtete në mënyrë që t’i zvogëlojmë sa më shumë ato. Komisioni Europian nuk po propozon të rivendosen vizat për asnjë vend sot, por paragrafi i sigurisë është për të ardhmen”, ripërsëriti komisionerja Sesilia Malmstrom.

mit/NOA

KOMENTE