Prishtinë, 24 maj 2011 NOA - Një nxënës i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rendë pas një zënke që ka ndodhur sot rreth mesditës në këtë gjimnaz.
Vdekjen e të riut M. Cakaj i vitit të lindjes 1992 e kanë konfirmuar policia dhe mjekët në Qendrën Emergjente të QKUK-së, njofton KTV.
Mësohet se deri tek ky akt ka ardhur pasi që një nga ata që ishin përfshirë në zënkë kishte marrë armen dhe pastaj në oborrin e shkollës kishte shtënë me të në drejtim të tashmë të ndjerit Cakaj dhe të riut tjetër i cili po trajtohet në klinikat emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Policia e Kosovës është duke i kryer hetimet në vendin e ngjarjes dhe ende nuk ka bërë të ditur motivet e këtij akti që rezultoi me humbje jetë te një të riu,.
Policia tha se ka arrestuar një person, ndërsa është në kërkim të një të dyshuari tjetër lidhur me vrasjen e 19-vjeçarit. Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prishtinës, Agron Borovci, i tha radios Evropa e Lirë, se gjatë incidentit që ndodhi në pasditen e së martës janë plagosur edhe dy persona të tjerë.
Pjesëtarë të Policisë janë duke bastisur disa lokacioneve në afërsi të shkollës së mesme “Sami Frashëri” ku raportohet se ka ndodhur vrasja.
Vrasjen e 19 vjeçarit e ka dënuar Këshilli i Nxënësve të Kosovës duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, institucioneve të tjera relevante qendrore dhe lokale, Policisë e Kosovës dhe vetë shkollave të adresojnë problemin e dhunës nëpër shkolla.