English

Win - Win

Nga Artan Fuga

Qytetarët shkuan qetësisht dhe lirisht në votimet për zgjedhjet e 8 Majit, që kanë si funksion të rinovojnë pushtetet lokale në shkallë bashkish apo komunash. Pavarësisht se situata për Tiranën mbetet shumë serioze dhe shqetësuese përsa i përket nxjerrjes së rezultatit, tregues i një situate katastrofike në numërimin e votave, përsëri ka vend që treguesit e votimit në gjithë Shqipërinë të lexohen tashmë në një farë mënyre, për të parë se çfarë ka thënë qytetari. Kuptohet se, për ta bërë këtë, diferenca e votave në Tiranë është kaq e vogël sa nuk besohet se ndryshon ndonjë gjë të madhe në analizën e përgjithshme.

Është e qartë se zgjedhjet ishin për pushtetin lokal. Formalisht dhe në thelb nuk mund të mohohet kollaj që qytetari kur ka hedhur fletën e vet në kutitë e votimit ka pasur në kokë pikërisht këtë detyrë dhe të drejtë. Por, në këtë zgjedhje që ka bërë, ai ka mbajtur sigurisht parasysh edhe faktorë të tjerë politikë. Në këtë kuptim, supozoj se këto zgjedhje kanë matur edhe parametra të tjerë, dytësorë, që shpesh mund të jenë edhe më të rëndësishëm sesa ata parametra që ligja formalisht kërkon të masë me anë të zgjedhjeve lokale.

Në një farë mënyre këto zgjedhje ishin edhe një farë sondazhi me një shkallë të mirë besueshmërie për disa prirje brenda elektoratit shqiptar. Qytetarët i kanë dhënë kështu një farë përgjigjeje edhe disa debateve dhe çështjeve që janë shtruar në fushatat elektorale nga partitë politike në garë. Cilat janë këto pyetje dytësore që qytetari u është përgjigjur me votën e tij? Sigurisht që është e vështirë të jepet një tablo që do të pretendonte një saktësi të padiskutueshme, por në këtë fushë nuk ka mundësi tjetër analize, veçse të përafërt.

A e pranon votuesi tiranas mënyrën aktuale të administrimit lokal në qytetin e vet?Përgjigjja është se gjysma e banorëve votues e pranon. Kur është fjala për votën, nuk ka vend të diskutohet se cilat janë motivet që e pranon. Puna është te fakti që japin fletët e votimit. Çfarë rëndësie kanë motivet këtu. Dikush mund të dojë ta kundërshtojë këtë, duke u shprehur se ata që kanë votuar në favor të kryetarit aktual të bashkisë janë të majtë. Kjo nuk ndryshon asgjë. Rëndësi ka që ata kanë zgjedhur të pranojnë këtë qytet që u është ofruar. Arsyeja pastaj është punë e tyre. Dhe duhet pranuar se pas tre mandatesh një tregues elektoral që shkon deri në 50% të votuesve nuk është dhe nuk mund të quhet negativ për një administratë. Dihet që administrimi dhe qeverisja e gërryen elektoratin që ka qenë mbështetës në fillim.

Një pyetje tjetër mund të lidhet me atë nëse elektorati i majtë është apo jo dakord me lidershipin aktual të Partisë Socialiste? Le ta mendojnë si të duan votuesit e djathtë, votimet dëshmuan se votuesit e majtë kanë shprehur edhe një opinion mbështetës për lidershipin aktual të Partisë Socialiste. Nuk është thjesht vetëm treguesi i votimit në Tiranë, por edhe në qytete të mëdha dhe të rëndësishme të vendit. Anë e mbanë Shqipërisë. Dikush mund të kundërshtojë, se ata ndofta e kanë bërë këtë gjë të detyruar për shkak se nuk kanë dashur ta marrë pushtetin lokal e djathta. Por, ky argument kritik nuk ka asnjë vlerë. Çdo përkrahje në politikë është vetëm relative dhe në raport me diçka tjetër. Madje, jo vetëm në politikë... Çdo gjë është në kontekst.

A është administrata qendrore dhe kreu i saj një grup njerëzish të izoluar dhe pa përkrahje politike masive, sikurse thonë kundërshtarët e tyre të majtë?Kundërshtarët e tyre të majtë mund të pretendojnë si të duan. Është e drejta e tyre. Por analiza e rezultatit të votimeve dëshmon se qeveria ka një mbështetje që ende quhet popullore. Arsyet mund t’i diskutojmë, por ato nuk do të jenë veçse interpretative. Edhe në qytete të mëdha ku fituan kandidatë të majtë për kryetarë bashkish, pati një numër shumë të konsiderueshëm qytetarësh që votuan për kandidatët e djathtë apo të aleatëve të Partisë Demokratike. Kurse përsa i përket votës politike, atë për këshillat bashkiakë, mund të thuhet se treguesit ishin edhe më të mirë sesa kaq. Po kështu në Veri, apo edhe në zonat rurale, pra për pushtetin komunal. Në shifër absolute, më shumë shqiptarë i dhanë koalicionit për qytetarin, së djathtës, pra, mbështetje me votë.

Nuk duhet harruar se këto shifra janë tregues domethënës pozitiv elektoral, kur merret parasysh se qeveria është në gjysmën e mandatit të saj të dytë dhe operon në një kohë të rëndë krize financiare dhe ekonomike ndërkombëtare që nuk e ka krijuar ajo. Nuk duhet të harrojmë se në botën e sotme ka presidentë dhe kryeministra që qeverisin normalisht me 30% mbështetje nga ana e opinionit vendës, madje edhe me më pak.

Po kandidati alternativ që përfaqëson të djathtën në Tiranë? Edhe ai korri një rezultat të rëndësishëm, që shkon, sipas treguesve, deri në 50 për qind të votave të mbledhura. Interpretimi? Mund të jepen shumë shpjegime të mundshme, një pjesë edhe i dhamë më sipër. Por, e rëndësishme është të thuhet se mbase nxirret edhe mësimi që elektorati i gjerë sot mund të mbështesë me sukses edhe politikanë që në vend të karizmës personale shfaqin si imazh më tepër një profil imazhi teknik, pa karizëm që pasionon turmën elektorale, dhe që duket se gjithmonë e më tepër do të zërë vend në jetën politike shqiptare.

Përfundimi? Vështirë të ketë një përfundim të sigurt. Duket më shumë se kemi të bëjmë jo me një lojë të humbur apo të fituar nga dikush. Më shumë duket se palët më tepër u legjitimuan reciprokisht sesa u delegjitimuan. Është nga ato raste absurde në pamje të parë, por aq të njohur në teoritë e marrëdhënieve publike, ku në një betejë elektorale mund të ndodhë që të dy palët të fitojnë. Pritej që dikush të humbte dhe dikush të fitonte. Por ja që ndodhi që të dyja palët fituan. Jemi në kushtet e asaj që quhet “win-win”.

Loja nuk përfundoi me një fitues. Dhe loja që nuk përfundon me një fitues do të ketë një edicion të ri në zgjedhjet e parashikuara të 2013-s, nëse nuk ka anulim loje.

Gjithsesi humoret e elektoratit ndryshojnë shpesh edhe shpejt në këtë apo në drejtimin tjetër. Në këto kushte, askush nuk mund t’i imponohet rivalit të vet politik, por, përkundrazi, konfiguracioni elektoral që dhanë zgjedhjet e kësaj radhe imponon më shumë se çdo herë bashkëjetesë politike dhe politikë në institucione sipas ligjeve dhe normave të shtetit të së drejtës.

KOMENTE