Bruksel, 24 maj 2011, NOA – Pak orë pas ankimimit në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Socialiste të rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nxorri në avantazh me 81 vota kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha, Komisioni Europian ka reaguar duke deklaruar se procesi zgjedhor i 8 majit nuk ka përfunduar ende dhe se KE do të ndjekë me vëmendje edhe procesin e apelimit.
Ishte zëdhënësja e Komisionit Europian Natasha Butler, e cila duke folur për zgjedhjet vendore në Shqipëri, deklaroi se procesi nuk ka përfunduar ende, pasi është në pritje shqyrtimi i ankesave nga Kolegji Zgjedhor.
“Kemi parë me vëmendje rezultatin për Tiranën të publikuar nga KQZ”, tha Butler.
Duke iu referuar numërimit nga KQZ si vota të vlefshme të atyre votave të hedhura në kutitë e gabuara, zëdhënësja e KE-së tha se “është një temë me interes çështja e bëzës ligjore në Kodin Zgjedhor për vendimin e marrë nga KQZ”.
Sipas saj procesi zgjedhor i 8 majit nuk ka përfunduar.
“Ne do e ndjekim me kujdes, procesin e apelimit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe raportin e OSBE-ODIHR”, shtoi zëdhënësja Butler.
Ajo i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor që procesin e apelimit të rezultatit për Tiranën ta shqyrtojë në mënyrë transparente dhe të pavarur.
“Procesi i apelimit duhet të bëhet në mënyrë të pavarur dhe transparente. Procesi i apelimit të përmbushë kornizën ligjore në Shqipëri. Është me rëndësi që zgjidhjet ligjore të gjenden për çështje që nuk janë të mbuluara nga baza ligjore dhe janë të hapura për interpretime”, tha zonja Butler.
Ajo i bëri thirrje liderëve të politikës shqiptare të gjejnë zgjidhje konsensuale për këto çështje të rëndësishme për vendin.
Duke iu referuar procesit të numërimit të votave dhe numërimit të fletëve të kontestuara zëdhënësja e KE-së Natasha Butler tha se para dhe pas procesit por edhe ditët e fundit gjërat nuk shkuan sipas standardeve për zgjedhjet demokratike.
“Kjo është fatkeqësi, sepse ky është një nga prioritetet kryesore për opinionin e Komisionit Europian dhe element jetik për integrimin e Shqipërisë në BE”, nënvizoi Butler.
Butler nënvizoi se BE nuk ka një vlerësim përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke artikuluar se vlerësimi do të jetë vetëm raporti i OSBE-ODIHR-it, që pritet të dalë pas afro pesë javësh.
Butler theksoi se bazuar në raportet e para janë evidentuar elementë pozitivë gjatë procesit të votimit, duke iu referuar ditës së zgjedhjeve, e cila ishte e qetë, përveç disa incidenteve të vogla.
mit/NOA