Prishtinë, 25 maj 2011, NOA – Në një aksion policor të urdhëruar nga Prokuroria Speciale i shtrirë në tre qytete kryesore në Kosovë, në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Njësia e Task-Forcës kundër korrupsionit në bashkëpunim me EULEX-in arrestoi sot shtatë persona, mes të cilëve gjashtë policë, të dyshuar për marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës.
Sipas njësisë policore të antikorrupsionit dyshohet se marrja e rryshfetit ka të bëjë me kontrabandimin e mallrave nga veriu i Mitrovicës.
Gjashtë prej të arrestuarve janë zyrtarë policorë nga rajoni i Mitrovicës dhe një
qytetar po nga ky rajon.
Sipas njësisë ai dyshohet se është i përfshirë në këtë kontrabandë mallrash.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të EULEX-it zyrtarët policorë në bashkëpunim me Administratën Tatimore kanë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme, ku tre prej tyre ishin lokale biznesi një shtëpi private, bastisje të kryera në të tre rajonet në fjalë.
Bastisjet janë realizuar nën dyshimin e bazuar për blerje të mallrave të
kontrabanduara, për të cilat zyrtarët tatimorë kanë vënë edhe disa gjoba.
Me urdhër të Prokurorit të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
mit/NOA