English

Fitorja e prishur

Nga Artan Lame

Variant: Lulëzim Basha thërret konferencë shtypi, për të thënë pak a shumë këto gjëra: “Koalicioni i djathtë ka fituar 140 mijë vota më shumë se e majta. Partia Demokratike ka fituar në Tiranë 7 nga 11 minibashkitë. Ka fituar gjithashtu edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. Nga numërimi i votave, u pa se kam fituar me 70 vota ndaj kundërshtarit. Por për shkak të një pasaktësie në procedurat e numërimit, këto 70 vota nuk mund të merren të mirëqena. Unë nuk dua që për 10 votat e Ramës të digjet sërish Shqipëria, të rrezikohet integrimi, të rivendosen vizat (mund të hedhë këtu kripë integruese sa të dojë). Për të gjitha këto arsye, unë tërhiqem nga gara e Tiranës” (këtu mund të shtojë edhe ca broçkulla patriotike, për kombin, atdheun dhe ëndrrën europiane). Nëse do të ndodhte kjo gjë, Basha do të dilte edhe më i nderuar nga ky konflikt, që realisht po rrezikon të na marrë në qafë të gjithëve.

Them “edhe më i nderuar”, pasi ashtu siç shkruante para disa ditësh miku im, Lorenc Vangjeli: “Lulzim Basha u shndërrua në sy të miqve dhe të armiqve, në fitues moral të zgjedhjeve”. Këtë fakt, vështirë se e vinte në diskutim njeri deri përpara se të hynte në skenë me marrëzinë e vet Sali Berisha, njeriu që di të dalë nga një konflikt vetëm duke krijuar një konflikt tjetër, ashtu sikundër Shote Galica që donte ta nxirrte plumbin me plumb.

Kështu që edhe Bashës po rrezikon t’ia prishë fitoren Berisha. Saliu, që ka qenë në gjendje që në këta 20 vjet të shkatërrojë dhe të bllokojë çdo lloj procesi normalizues në këtë vend. Unë që po i bëj thirrje Bashës të tërhiqet nga gara, nuk e bëj këtë as sepse si i majtë dua që të fitojë Rama, e as se dua të dalë Basha si burrë i mirë e i urtë. Nuk më intereson fati politik i Bashës, se kjo është punë e tij dhe e partisë së tij, por më intereson diçka tjetër më e madhe, shumë më e madhe dhe e rëndësishme sesa një mandat 4-vjeçar i një personi, apo dhënia e mosdhënia e ca lejeve për ca kulla e pallate. Ajo që realisht më intereson është reformimi i Partisë Demokratike dhe ndryshimi i lidershipit të kalcifikuar të saj. Pa ndryshuar ky lidership, as që mund të bëhet fjalë për normalizim të Partisë Demokratike. Ndoshta mund të mos jetë Basha superheroi që do ndreqë PD-në, por të paktën ‘star’-i i momentit për atë parti është.

Por pse e dua unë reformimin e Partisë Demokratike dhe ikjen në pension të udhëheqësit legjendar të saj? Për një arsye shumë të thjeshtë dhe pragmatike timen, si i majtë. Pa ikur nga skena politike Sali Berisha dhe me ikjen e tij, pa u reformuar e normalizuar PD-ja, nuk ka as reformim e normalizim të Partisë Socialiste. Çdo reformë e brendshme e të majtës, bllokohet në momentin që përballë del Sali Berisha. Çdo përpjekje e brendshme e të majtës për t’u reformuar, ndërpritet në momentin që Berisha përballë bën atentatin e radhës kundër demokracisë. Çdo përpjekje e jona për të sqaruar situatën në gjirin e socialistëve, lihet natyrshëm mënjanë sapo na duhet të bëhemi sërish bashkë të mirë e të ligj për të përballur Salinë.

Tani, pas mbylljes së procesit zgjedhor në Tiranë, socialistëve do t’u duhej të mblidheshin e të diskutoni pse u vajti kështu kjo punë. Pse u ranë njëra pas tjetrës shtatë minibashki si fiqtë nga fiku? Kush dhe si u zgjodhën kandidaturat për kryetarë minibashkie, për Këshillin Bashkiak, për Këshillat e Minibashkive, që në shumicën e rasteve as i njeh njeri e as nuk u pyet njeri kur i vunë? Pse socialistët e humbën edhe ca më keq se ç’e kishin humbur Këshillin Bashkiak të Tiranës? Pse kryetari ynë na premtoi se do fitonte më thellë se në 2007-n dhe në fund e kaloi lumin vetëm duke kruar fundin e kusisë? Siç u bënë shpejt e shpejt llogaritë për qytetet e tjera, si shpjegohet që në Tiranë kandidati ynë kryesor ka marrë më pak vota se Partia Socialiste? Pse na u shitën votat dhe, pse njerëzit, midis “ëndrrës që vazhdon” dhe lekëve në dorë, zgjodhën lekët? Këto e plot pyetje të tjera do donim të diskutonim në tryezat e së majtës, por... jo. Saliu sulmoi sërish sistemin, rrezikoi sërish demokracinë dhe ne të gjithë, me vetëdije, lamë mënjanë problemet e brendshme dhe u mblodhëm rreth kryetarit, për të shpëtuar një gjë realisht më të rëndësishme, që është demokracia.

Nuk dua të them se ka një komplot të fshehtë midis kryetarit të PS-së dhe atij të PD-së, që demek sa herë që kryetari ynë ka hall, Saliu ta ndihmojë; jo, nuk bëhet fjalë për këtë gjë, thjesht Berisha si gjithmonë bën të vetmen gjë që di të bëjë mirë: kur gjendet ngushtë sulmon çdo gjë normale, duke na rrezikuar bazën e sistemit që po përpiqemi të ngremë. Bash për këtë arsye them se tërheqja e Bashës do të bënte që ai të paraqitej përpara partisë së vet me pikët maksimale, me personalitetin e vet, jo thjesht si gjetja e radhës e Berishës, por edhe si njeri që ka mendjen e vet. Bash kështu ai do të qe në gjendje të fillonte të eklipsonte brenda partisë së vet figurën e Berishës, që, ta hajë dreqi, duhet ta kuptojë se duhet të ikë. Bash për këtë arsye pra, dalja nga skena e Berishës do bënte që Shqipëria të normalizohej gati si me magji brenda javës, dhe të dyja partitë e mëdha do të kishin mundësi të linin mënjanë urrejtjen e stisur kundër njëra-tjetrës dhe do të kthenin sytë nga brenda vetes, ku kanë shumë punë për të bërë që të ecin udhës së qytetarisë.

Teksa Kadareja i kërkonte Bashës tërheqjen nga gara, duket se këtë ja bënte nga pozitat e njeriut mbi partitë e politikat e ditës, pozitë më se normale kjo për një njeri të letrave. Kadareja i fliste atij për sfida kombëtare, për histori të mëmëdheut e për gjeste epokale, gjuhë kjo jo shumë e kuptueshme për njerëz të ambientuar me gjuhë tenderësh, shumice/pakice, lejesh, lobesh e grupesh interesi. Ndaj edhe përgjigjja i erdhi pa kaluar as disa orë. Unë tani thjesht po përpiqem që me një gjuhë më tokësore, interesash politike, të arrij të njëjtën gjë. Pa ikje të Saliut nuk ka normalizim të PD-së, dhe pa normalizim të PD-së nuk ka reformim të PS-së. Sot, në situatën e një PD-je të sunduar demoniakërisht nga Saliu, njerëzve u duket edhe më e mirë se ç’është Partia Socialiste, ndërsa nesër, me një PD të çliruar nga Saliu dhe të shtensionuar, edhe socialistëve do t’u duhet të ndreqin shtëpinë e tyre politike në mos daçin që të ngjajnë si PD-ja e kohës së Saliut. Kjo është arsyeja bazë për të cilën shpresoj të tërhiqet nga gara Basha, për të shpëtuar kështu fitoren morale që po përpiqet t’ia prishë Saliu; për të qetësuar gjakrat e nxehur mes shqiptarëve; dhe më kryesorja, për të futur në udhën e reformimit, ai partinë e vet e ne tonën.

KOMENTE