English

Gjurmëtë vendbanimit parahistorik në Reshtan të Kosovës

Reshtan, (Kosovë), 25 maj, NOA - Gërmimet arkeologjike në Reshtan të Therandës kanë rezultuar me gjetjen e një vendbanimi të periudhës së mesme dhe të vonë të Neolitit. Arkeologët kanë hasur në shumë elemente që dëshmojnë se kjo zonë ka qenë e populluar dhe mjaft e zhvilluar në këtë periudhë parahistorike. Gërmimet arkeologjike të nisura muajin e kaluar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, atë të Tiranës dhe të Tetovës, kanë pasur karakter shpëtimi të këtyre vlerave arkeologjike, pasi që mu mbi këtë vend ka nisur të ndërtohet rruga Therandë-Studençan.

Udhëheqësi i gërmimeve në këtë lokacion, Shafi Gashi, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka bërë të ditur se kjo është një ndër qendrat më të mëdha të Neolitit të mesëm.

“Qëllimi është që në këtë pjesë të kryhet gërmimi me karakter shpëtimi dhe të njëjtën kohë të bëhet një kurs i studentëve të arkeologjisë, që të përfitojnë në aspektin metodik e shkencor”, ka thënë ai.

Gashi ka bërë të ditur se gjer tani kanë arritur të evidencojnë tri horizonte të banimit, të Neolitit të mesëm dhe të vonë dhe shumë gjurmë arkeologjike të kësaj periudhe, me dysheme, vatra dhe me shumë objekte të lëvizshme.

“Synimi është që i gjithë materiali të analizohet dhe në fund të vitit me këtë do të botohet një monografi për vendbanimin parahistorik të Reshtanit”, ka bërë të ditur ai.

Adem Bunguri, specialist në Institutin e Arkeologjisë të Shqipërisë, ka theksuar se vendbanimi i Reshtanit ka qenë njëri nga më të rëndësishmit në parahistorinë e Kosovës dhe Ballkanit Qendror.

“Ky vendbanim në literaturën arkeologjike është bërë i njohur që në vitin 1979. Ka nisur fushata e gërmimit nga arkeologët serbë, në vitet 1967, megjithatë botimi i plotë i materialit nuk është realizuar”, ka potencuar ai për “Koha Ditore”.

Bunguri ka thënë se në Reshtan mbizotëron elementi apo komponenti kulturor Danilik apo adriatiko-mesdhetar. Sipas tij, një nga tiparet e kësaj kulture - përpos poçarisë të dekoruar me metoda dhe teknika të larmishme dekorative - janë edhe ritonet e kultit, të cilat i kushtoheshin kultit të gjallesës.

Sadat Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka bërë të ditur se Theranda është një ndër zonat më të pasura arkeologjike në territorin e Kosovës, por ka theksuar se regjimi i kaluar disa prej tyre i ka shkatërruar gjatë ndërtimit të vreshtave.

“Deri më tani gjurmët datojnë që në Neolitin e mesëm, që është pikërisht lokaliteti i Reshtanit. Gjithashtu kemi Hisarin, që është një territor shumështresor që ka vlera arkeologjike. Pastaj kemi Tumat e Shirokës, varreza të periudhës së hekurit. Por ato varreza gjatë ndërtimit të vreshtave të asaj kohe shumica janë shkatërruar. Pastaj kemi Hisarin e Kostercit, gjithashtu janë kryer gërmime vitin e kaluar. Aty kemi një kala të antikitetit të vonë. Gjithashtu kemi lokalitete të tjera që nuk është arritur të gërmohen, por janë evidencuar dhe shpresoj që në të ardhmen do të gërmohen”, ka thënë Baraliu.

NOA

KOMENTE