Tiranë, 25 maj 2011, NOA – Në pritje të verdiktit të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin për udhëheqjen e bashkisë së Tiranës, Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grossruck e uroi kryeministrin Sali Berisha për fitoren e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha në betejën për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e qeverisjes vendore të 8 majit.
Duke e uruar edhe për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit qeverisës, Grossruck i tha kryeministrit Berisha se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.
Më tej gjatë takimit të zbardhur nga zyra e shtypit e qeverisë, Grossruck dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.
Ata shfaqën interes për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.
Në këtë kontekst kryeministri e falenderoi zotin Grossruck për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në Evropë si dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë.
Këtu shefi i ekzekutivit shqiptar i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, me burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme.
Gjithashtu kreu i qeverisë e njohu zotin Grossruck me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, ku ai përmendi regjistrimin on line përmes sistemit One Stop Shop, e- taksa, e-dogana, prokurimet elektronike, etj.
Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të të dy vendeve në shumë fusha.
Bashkëbiseduesit vlerësuan faktin se investimet austriake zënë vendin e tretë për sa i përket investimeve të huaja ne Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri, turizëm, etj.
mit/NOA