English

Kantrimen: Zgjedhjet e 8 majit, më të mirat në historinë e Shqipërisë

E mërkurë, 25 maj 2011, NOA- Në një intervistë për Zërin e Amerikës Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Azinë, Tomas Kantrimen, përshëndeti procesin zgjedhor në Shqipëri, megjithë mosmarrëveshjet e fundit mbi numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, vendim që, siç tha ai, do ta marrë Kolegji Zgjedhor.

Zoti Kantrimen tha se përfundimi i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë edhe perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë Tomas Kantrimen vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke thënë se kjo tregon interesin shqiptarëve për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.

“Dua të përshëndes votuesit në Shqipëri jo vetëm për pjesëmarrjen e lartë, por edhe për një proces paqësor votimi. Kjo, - tha Kantrimen, - është fitore e madhe për popullin shqiptar”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit tha se këto ishin zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri: “Mendoj se këto ishin zgjedhjet më të pastra dhe të drejta që ka parë Shqipëria në historinë e saj. Nuk dua të minimizoj problemet që u shfaqën dhe që vazhdojnë të jenë, por shoh shumë shenja pozitive në mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje.”

Kantrimen theksoi se secila parti mund të nxjerrë mësime nga kjo përvojë.

“Dy partitë e mëdha dolën më mirë në disa zona që e prisnin dhe më keq në disa të tjera. Kjo, më bën të arrij në përfundimin se jeta politike në Shqipëri është e balancuar mes dy forcave të fuqishme. Por në të njëjtën kohë, kjo krijon detyrime për të dy palët për të bashkëpunuar në mënyrë të civilizuar, qoftë përmes debateve publike, parlamentit, apo për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këtë e presin jo vetëm populli shqiptar, por edhe Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.”- tha zoti Kantrimen.

Për çështjen e debatueshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara Tomas Kantrimen tha: “Çështja e votave të hedhura në kuti të gabuara nuk u trajtua siç duhet. Ne thamë që në fillim që rregullat duhet të jenë të qarta dhe duhen zbatuar në mënyrë të drejtë dhe transparente.”

Rregullat për numërimin e votave të hedhura gabim u bënë pas ditës së zgjedhjeve dhe baza ligjore e këtij vendimi nuk është e qartë për ne, tha zoti Kantrimen. Ai shtoi se megjithëse e kupton argumentin e KQZ-së, mendon se ky ai “mund dhe duhej të ishte bërë para zgjedhjeve dhe me konsensus mes partive, pa pasur nevojë të hidhte hije mbi një proces që ishte shumë pozitiv”.

“Dua të vë në dukje se unë nuk po them që vendimi është i paligjshëm. Unë thjesht po them se baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket se nuk është në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore”, u shpreh Kantrimen.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Kantrimen tha se tani çështja duhet zgjidhur përmes institucioneve kushtetuese. Pra, së pari me apelime në KQZ dhe pastaj në Kolegjin Zgjedhor. Ky proces duhet të vazhdojë punën në mënyrë të pavarur dhe të dy palët duhet të premtojnë se do ta respektojnë rezultatin. Pyetjes nëse kjo mosmarrëveshje pret një zgjidhje politike apo ligjore, zoti Kantrimen ju përgjigj: “Kur flas për vendime konsensuale, dhe tani flas në emër të Shteteve të Bashkuara, e kam fjalën për një vendim që duhet të ishte marrë brenda KQZ-së para zgjedhjeve, në lidhje me atë se çfarë duhej bërë për fletëvotimet e hedhura në kutitë e gabuara, që ka qenë çështje e lindur që në votimet e mëparshme. Tani kemi certifikimin e rezultateve të përkohshme nga KQZ-ja që nuk u mor në bazën e një konsensusi, prandaj tani kjo është çështje ligjore që i takon Kolegjit Zgjedhor ta vendosë.”

Ne presim, tha zoti Kantrimen, që Kolegji Zgjedhor të marrë një vendim të bazuar në ligj, pa presionin e asnjë prej partive. Ky është detyrim ligjor, tha ai.

“Në aspektin politik, ne presim që të dy palët të shmangin kërcënimet për demonstrata dhe dhunë nëse nuk u pëlqejnë rezultatet,”- tha zoti Kantimen.

Ai tha se nuk është e përgjegjshme të thuhet që përpara, se rezultatet nuk do të pranohen, nëse njëri prej kandidatëve mbetet i pakënaqur. Ne presim tha zoti Kantrimen, që palët të respektojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të tregojnë më shumë bashkëpunim në të gjitha nivelet e pushtetit. Zoti Kantrimen shtoi se perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë do të varet nga mënyra e zgjidhjes së këtij procesi zgjedhor. Ky proces tha ai, duhet zgjidhur përmes mekanizmave ligjore, me dinjitet dhe jo me dhunë.

VOA/NOA

KOMENTE