English

Mbyllen Lojrat Olimpike Speciale, zonjat Topi dhe Berisha mbështesin iniciativën

Tiranë, 25 maj 2011, NOA- Dita e sotme shënoi edhe përfundimin e Lojrave Olimpike Speciale Shqiptare 2011.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar tek Universiteti i Sporteve u shpërndanë edhe çmimet dhe medaljet për atletët më të mirë të këtij edicioni të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë muajin e ardhshëm në Lojrat Ndërkombëtare Speciale në Greqi.

Të ftuara speciale gjatë kësaj ceremonie ishin Zonja e Parë e vendit Teuta Topi dhe bashkëshortja e kryeministrit Liri Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ato uruan fituesit dhe shprehën mbështetjen e tyre ndaj kësaj iniciative që është kthyer në një traditë tashmë edhe në vendin tonë.

Në mbështetje të këtij aktiviteti ishin edhe përfaqësues të Fondacionit Vodafone Albania, si përfaqësues të fondacionit i cili mbështet prej katër vitesh këtë aktivitet.

Krahas tyre të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Olimpikut Shqiptar, mësues, njerëz me aftësi të kufizuar, miq dhe familjarë.

Sakaq në lojrat e organizuara gjatë këtij viti morën pjesë më shumë se 300 atletë nga i gjithë vendi, të cilët përfaqësojnë 14 skuadra, nga rrethe të ndryshme, në 6 disiplina sportive; futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, atletikë, dhe boëling.

Këta atletë i bashkohen më shumë se 2,000,000 atletëve në mbarë botën, në Lëvizjen Olimpike Speciale.

Për pjesëmarrësit në këto lojra, tre ditët e mbajtjes së tyre, ishin të mbushura me emocione, aktivitete dhe argëtim, ku ditën e hënë u zhvillua ceremonia e hapjes në prani të Presidentit të Republikës i cili prej katër vitesh bëhet pjesë e kësaj iniciative të bukur për komunitetin e njerëzve me aftësi të kufizuar.

Ndërsa ditën e martë, nëntë ambasadorë të akredituar në Tiranë u takuan me pjesëmarrësit dhe organizatorët e lojrave olimpike ku gjithpërfshirja dhe paqja ishin mesazhet e transmetuara.

a.y/NOA

KOMENTE