English

PD: Dakort me PS, por trysnitë ndaj Kolegjit dëmtojnë integrimin

Tiranë, 25 maj 2011, NOA – Selia blu reagoi ndaj deklaratës së Partisë Socialiste duke shprehur njëmendësinë se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është jetik, duke i rikujtuar se ndërkohë vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës.

Kryesuesja e listës së Partisë Demokratike për Këshillin Bashkiak, Jorida Tabaku i kujtoi Partisë Socialiste, se “Çdo përpjekje për të dëmtuar procesin ligjor, duke ushtruar trysni ndaj Kolegjit Zgjedhor apo KQZ-së, në mënyrë që vendimet të merren mbi interesa politike, dhe jo bazuar në ligj, vetëm sa dëmton integrimin europian të Shqipërisë”.

Ajo theksoi se Europa nuk kërkon të shohë se kush fitoi apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit.

Sipas saj, çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike.

“Ndërkombëtarët i kanë kërkuar të dyja palëve politike, që të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. Partia Demokratike është e angazhuar në këtë drejtim”, tha Tabaku.

Ajo ripërsëriti se Partia Demokratike beson tek Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligjet Ndërkombëtare, që nënvizojnë se çdo votë është e barabartë dhe se çdo votë duhet vlerësuar drejt.

Këtu, Jorida Tabaku ripërsëriti së Edi Rama vazhdon ta mjegullojë çështjen, pasi i frikësohet vendimeve të institucioneve të pavarura dhe numërimit të çdo vote.

mit/NOA

KOMENTE