English

Përsëri një “Letër e hapur”…?!. “Kandidatit” për “Nobel”, Ismail Kadare

Nga Agim Doçi

O gjeniu ynë i madh Kadare!

O populli ynë i “vogël” shqiptar!

Thashë të bëja dhe unë një nga “këto” letrat e hapura, se kurrë nuk e kam provuar më parë. Një herë thashë ta bëja anonime si Jovan Bregu, por kur lexova letrën tënde, o gjeniu ynë, kur pashë nivelin e të shkruarit tënd sipë(mje)ran, mendova le të dalë ku të dalë!...

M’u kujtua që të gjitha “Letrat e hapura” që u janë drejtuar shqiptarëve, popullit në dekada, pra e kanë origjinën nga Gjirokastra (!).

E mbani mend të nderuar lexues që të gjithë “Letrat e hapura” që dilnin nga korridoret e krimit të KQPPSH, i hartonte një gjirokastrit?

Po ju kujtoj disa “Letra të hapura”, që i drejtoheshin popullit. Po e nis me më të çuditshmen, ku dhe i mëshohej fort parimit “Kur flet klasa, hesht burokracia!”. Ishte kjo Letër që Partia u bënte gjëmën të gjithë të shkolluarve në akademitë evropiane, duke eliminuar intelektualët e vendit. Numërohen rreth 169 akademikë shqiptarë, mbaruar shkollat e larta në Itali, Austri, Francë e gjetkë, që shkuan për…lesh.

Apo ajo e “famshmja” “Letër e hapur” drejtuar ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve dhe gjeneralëve për “heqjen e gradave”... Pasi ua hoqi gradat, ua hoqi dhe kokat nja 36 gjeneralëve akademikë(!)... Madje i quajti “puçistë dhe komplotistë” më besnikët e tij, ushtarakët, që flinin me çizme veshur.

Po ajo “Letra e hapur” “Bujqësia çështje e të gjithë popullit”, që pikërisht kur për herë të parë u prodhua buka në vend, e dënoi paradoksalisht ministrin e Bujqësisë P. Dodbiba (!), duke e degdisur në humbellat e Belshit…

Po ajo “Ta bëjmë kursimin natyrë të dytë”, apo ajo e “Revolucionarizimit të shkollës”, që e “sistemoi” ish-ministrin Deljana në stallat e Tepelenës? “Letra e hapur” për “rrufjanët politikë”, apo për “sabotimet” në naftë?

“Letra e hapur” për “rolin drejtues të Partisë”, apo për organizatat e masave, ku të zgjodhën Ty, o gjeniu ynë, madje përkrah sh. Nexhmije, si nënkryetar të Frontit Demokratik të Shqipërisë, etj. etj.?

Pra, ky lloj inventarizimi i “Letrave të hapura” na duhej dhe vitin 2011 të na vinte prej një gjirokastriti francez. Burojnë dhe nuk…shterojnë këto bëmat dhe gjëmat e gjirokastritëve!

Rrofsh, o gjeniu ynë, se na hoqe mallin për komandantin, që Ti dhe vetëm Ti e fute si personazh kryesor te “Dimri i madh”, te “Dimri i fundit”, te “Koncert në fund të dimrit” etj. etj. Se ashtu porosiste Maksim Gorki! Futja e udhëheqësit në letërsi të realizmit socialist, është hop cilësor në letërsi! Dhe ti e kreve këtë detyrë shkëlqyeshëm. Tani në Shqipëri, që ti e sheh me dylbi (prej Pigalit ndofta), ka pranvera demokratike. Në kapërcyell të viteve ’90-të, ne e donim një shkrimtar disident. Ti “mjeshtërisht” na e kërkove të pohonim “disidencën” tënde, dhe ne çuditërisht na vinte turp të mos ta jepnin “titullin” e lypur prej teje dhe dhuruar prej nesh si fansa të tu. Ne “intelektualët” që ishim kavie ideologjikë të diktaturës, menduam se sa “pa gjë”… të kemi një disident, dhe të zgjodhëm Ty.

Aferim të qoftë! Na e fute!... Madje ata të vërtetët që guxuan e thyen vargonjtë e diktaturës i quajte “jashtëqitje e kombit”. Ti asokohe kur vareshin, pushkatoheshin, eliminoheshin, burgoseshin Avzi Nelaj, Bilal Xhaferi, Jorgo Bllaci, M. Myftiu, ishe monument që mbroheshe nga shteti diktatorial. Pastaj ishe dhe nga Sokaku…Ne fisnikët mediokër gegë, të deshëm si vëllanë tonë toskë. Nuk bëmë ndonjë mëkat, ishim mjeranë që ende nuk na ishte larguar frika dhe sinqerisht si mjeshtër në pendë.

Sa shkrimtar i madh je, aq njeri i vogël ke mbetur. Ti kur hyn në politikë nga mal kthehesh në buburrec. Po pse me votën tonë do tallesh ti, gjeniu ynë?!... Ke të drejtë se hileja jote prej një shpirti demoniak gjirokastriti qëndron tek një fakt, duke e parë sesa fisnik është kandidati, dhe pse jo kryetari i Bashkisë kryeqytetase, L. Basha, i kërkove atij djallëzisht “jep dorëheqjen!...” se qetësia dhe rrënimi i vendit varet nga fisnikëria e Lulzim Bashës, duke i dhënë Bashkinë z. Rama. Madje ngul këmbë që Basha “të mos ta marrë pushtetin në tavolinë (!). Po pse ku numërohen votat tona, o gjeniu ynë, në majë të mullarit apo në majë të Eifelit?!.... Po nuk bëhesh interesant, madje dhe atij çmimit që të del në ëndërr çdo natë i je larguar kaq shumë, ose i “je afruar” me urdhër masonerie.

Na përmendje Ismail Qemalin, që dha “dorëheqje”, se ia ka paska kërkuar Evropa(!). Po çfarë e gjeti Shqipërinë pasi ai iku? Shkodrën e mori Mali i Zi, Korça u bë Republikë Franceze, Mirdita u bë Republikë Katolike, Durrësi Republikë Myslimane e Toptanit, Vlorën e mori Italia, Dibrën e morën sllavët…dhe Shqipëria mbeti nën mëshirën e Cute Gjatës dhe Shahin Matrakut…(personazhet e tu të preferuar). Mos e ngatërron Edvinin me Cute Gjatën?!...

Shkruan në “Letër të hapur” drejtuar Bashës, që për hir të qetësisë, Lulzimi të japë dorëheqjen… Të ha meraku që të ruhet qetësia në vend. Po cila qetësi po të prishet ty në mes të Parisit, apo bijave të tua, që pushteti demokratik ku bën pjesë dhe L. Basha i emëron ambasadore, ndërsa plot demokratë janë pa punë apo me asistencë?

Ore gjeniu ynë, je në vete apo...?!

Pra, siç shkrova në krye të radhës, të gjitha “Letrat e hapura” e kanë origjinën nga Gjirokastra(!). Kësaj here për çudi Ismail gjirokastriti na e shkroi nga Parisi. Nuk e besova që të ishte e vërtetë. Pandeha se ndonjë emigrant i dështuar e ka pseudonimin “Ismail Kadare”. Dikush më tha: “Je në vete ore, poeti ynë patriot, vetë Ismaili e ka pseudonimin ‘gjenerali’”.

I thirra mendjes më pas dhe u kujtova. Po dhe ky nga “Sokaku i të Marrëve” është. Banorët e qytetit të gurtë Gjirokastrës, vetëm atyre të Sokakut të të Marrëve, që zbrisnin në kalldrëmet e Palortosë me nallane druri si të azdisur, saqë trokëllima e nallaneve çmend një qytet, i dhanë emrin banorëve të atij Sokaku, që, siç thonë, janë dhe kushërinj midis tyre.

Aty linde dhe Ti, gjeniu ynë Kadare. Padyshim gjenitë lindin dhe nga incesti. A nuk ishin nëna e i ati i Enverit kushërinj të parë si ata të tutë?!... Po ti, z. Kadare, a nuk e di se sa shumë (madje më shumë sesa e ke merituar) të kemi dashur dhe respektuar?... Të kam thënë dikur që ruaju mos të zëntë mallkimi gegnor. Kur të mallkon Mirdita, thotë: “Të vdektë fjala!”. Pikë e zezë, ku i pate mendtë kur shkrove atë trahana intelektuale?

Ti sistematikisht u ke rënë në qafë gegëve. Çuditërisht gegët të kanë vënë në ballë të oxhakut. Madje dhe kur shkrove për malësorët trima që kishin hapur bordel (!), apo kur shtojzovallet e Bjeshkëve i fute në shtëpitë publike. Pah, çfarë mllefi deri në urrejtje ke për ato Bjeshkë! Madje dhe kur të dhanë titullin e (pa)merituar “Nderi i Kombit”, Ti nga kulla “Eifel”, e ulje dhe e ngrije edhe dhënësin e titullit malok! “Fajin” e ka Saliu! Ai të vlerëson, ti ia kthen mjaltin me pështyma! Po a kjo është mirënjohja, o gjeniu ynë?…

Habitem se si nuk të vjen turp që i shkruan ashtu Lulzim Bashës, apo sepse ta emëroi vajzën tënde, Besjanën (një fëmijë që kaloi një fëmijëri skizofreneje plot andralla dhe me mungesë edukate maksimale) ambasadore të UNESCO -s në Paris?!... Apo kjo është “mirënjohja” për Bashën?... Kur nuk e mban mend ti, ta kujtoj unë, kur i kërkoje Edvinit aparat celular, se i ishte prishur madamë Helenës ai i “vjetri” dhe Ti, me shpirtin cingun të gjirokastritit tipik, mezi prite të vinte nga “rojat” e Ramës celulari i ri. Tani kjo “Letra e hapur”, mos është shpërblimi për atë celularin që të dërgoi Rama asokohe?! Po ky Rama i dha Çelësin e Tiranës Janullatosit, madje dhe Goran Bregoviqit, atij që pozonte me kallash kundër shqiptarëve të Kosovës përgjatë gjenocidit millosheviqian.

Mos harro! Jam malësor kokëshkëmb! Jam nip andej nga Kolonja dhe kurrë nuk shkruaj keq për vëllezërit jugorë! Ndërsa Ti nuk je lodhur kurrë duke na përfolur dhe shpërfillur, madje dhe fyer. Jam 12 vite më i ri nga Ti, o gjeniu ynë!... Nuk lodhem nga rruga e gjatë dhe e lodhshme e tranzicionit. Por do bëhet Shqipëria etnike dhe ti do jesh për fatin e “keq” në minorancë si në këtë “Letër të hapur”.

Dikush t’u përgjigj që ke gabuar adresë. Unë them që bëre mirë që shkrove “Letrën e hapur” Lulzim Bashës, se më fund e morëm vesh se ku fle “lepuri”…

Shkrove dikur “Ra ky mort dhe u pamë”.

Unë po të përgjigjem në emrin e votës sime, që edhe pse nuk jam i detyruar ta bëj të ditur publikisht, u ngrit në kufijtë e vlefshmërisë për “Aleancën për Qytetarin”. Ndërsa votat për “Rrugën e Vetme”, kishin biletë njëdrejtimshe. Ikën, dhe nuk u kthyen në fitore. U kthyen në bllokime autostradash, në djegie gomash të konsumuara, u kthyen në protesta urlatorësh e oratorësh të konsumuar prej 1941-t. Ra pra, “fitorja” e bojkotuesve! Ra miti i Edvinit dhe betonit.

Ra pra, vota me notën dhjetë! Ndaj përfundoj: Ra kjo “votë” dhe u pamë!

KOMENTE
  • pro poullit01:12 - 28 Maj 2011
    ju falemnderit z.Doci qe po i hapni sadopak syte popullit shqiptar,sepse nje shkrimtar i madh ka shkruajtur dikur:"nuk ka erresire me te madhe sesa padituria" RESPEKT!
  • Sara Bieber21:43 - 27 Maj 2011
    Kadare perpiqet te ruaje Ramen nga deshtimi i plote.Sepse me renjen e Rames bien dhe perpjeket e fundit te komunisteve. U duhet Rama u duhet Kadareja u duhen dhe bijte e bijat qe rezikojne te zhduken nje here e mire nga pushteti qe ata enderrojne.Me humbejn e Bashkise se Tiranes ata humbin gjithshka,sepse e kane humbur mbeshtetjen ne popull dhe humbin me shume duke humbur figurat qe i kane investuar per keto dite te keqia per ta.Sa per Kadarene ne kemi qenen gjithmone dyshues.Pas kesaj letre besoj se e largoi veten nga gjith vlersimet qe ka marre prej vendit tij por dhe e largoi nje here e mire nga synimi i tij pervers si NOBELIST.NUK E MERITON.Une jam nje nga mijera qe mendojne si une, per kete ju siguroj.
  • idal04:31 - 26 Maj 2011
    Agim Doci vete mbiemri juaj tregon se cfare je ti dhe menyra te shkruarit tend thote qe je nje servil i vogel me nje mendje te vogel ne nje kafke te madhe bosh.
  • Blerta 00:08 - 26 Maj 2011
    Ky;; shkrim ...me ka bere te shperfytyroj ..Kadarene .....???????????????..fisnikeria ,,,nuk blihet me para ..e pushtet...more ..Kadareja ..i sokaqeve.....e i palacove ....!!!!!!!!!!!!?????????