English

PS: Kolegji Zgjedhor, përgjegjësi për të vendosur drejtësinë

Tiranë, 25 maj 2011, NOA – Një ditë para vendimit të Kolegjit Zgjedhor për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën, selia rozë i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor të vendosë në vend drejtësinë. Deputeti i Partisë Socialiste Ditmir Bushati deklaroi nga selia rozë se Kolegji Zgjedhor ka përgjegjësinë historike për t'i rikthyer sovranit dinjitetin dhe Shqipërisë, perspektivën Europiane.

“Kolegji Zgjedhor ka detyrimin përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendos drejtësi aty ku katër përfaqësuesit e pushtetit në KQZ shkelën çdo ligj e normë demokratike, duke shpërfillur vullnetin e popullit dhe thirrjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-ODIHR dhe të gjithë miqve të Shqipërisë”, theksoi gjatë një konference për shtyp deputeti Bushati.

Selia rozë reagoi pas deklaratave më të fundit të autoriteteve të larta të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për zgjedhjet në Shqipëri duke evidentuar se BE e theksoi si të paligjshme vendimmarrjen e KQZ-së për të numëruar si vota të vlefshme ato të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara.

“Bashkimi Europian mbështeti të njëjtën linjë me Raportin paraprak të ODIHR, duke theksuar si të paligjshme vendimmarrjen e KQZ-së për të ashtuquajturat

vota të hedhura gabimisht”, nënvizoi Bushati, duke i shprehur mirënjohjen e PS-së përfaqësuesve më të lartë të komunitetit ndërkombëtar që janë angazhuar në këtë proces.

Sipas tij vendi është zhytur në një qorrsokak nga kryeministri Berisha që tjetërsoi vullnetin e popullit shqiptar në tavolinën e KQZ-së.

Bushati ripërsëriti se Bashkimi Europian theksoi se për shkak të situatës postzgjedhore zgjedhjet nuk përmbushën standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike.

“Ky është një hap dramatik pas në rrugën e vështirë të demokratizimit të vendit”, theksoi Bushati.

Ai nënvizoi se “Vendimmarja e paligjshme dhe manipulimi në tavolinë i vullnetit të popullit nga ana e KQZ-së nuk shënon fundin e këtij procesi”.

Bushati tha se PS i bashkohet apelit të komunitetit ndërkombëtar që Kolegji Zgjedhor në punën e tij të udhëhiqet nga ligji dhe të mos dorëzohet përballë presioneve të pushtetit.

Këtu ai ritheksoi se jo vetëm populli shqiptar, por edhe partnerët ndërkombëtarë, do të ndjekin nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare në mënyrë të ndershme, transparente të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues.

Deputeti socialist Ditmir Bushati theksoi se anullimi i vizitës nga ana e Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, qëndrimet e qarta të BE-së të shprehura nga Baronesha Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule tregojnë se Shqipëria në vjeshtë do të humbë një tjetër shans për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, në rast se paligjshmëria që dominon procesin zgjedhor nuk ndalet nga një vendimmarje në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues dhe gjetjet e raportit të ODIHR-it.

mit/NOA

KOMENTE