Prishtinë, 25 maj 2011, NOA – Perspektiva evropiane e Kosovës dhe përkushtimi i shtetit të ri në plotësimin e kritereve të Kopenhagës ishin në qendër të takimit të zëvendëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini.
Dy autoritetet thanë se me pranimin e dialogut Kosova po plotëson edhe një nga kërkesat e Kopenhagës, që është bashkëpunimi rajonal.
Zëvendëskryeministrja Tahiri dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE, Gentilini diskutuan rreth dialogut teknik, ku u vlerësua roli i BE-së.
Gentilini duke qenë se është pjesë e këtij procesi në takimet e dy palëve në këtë proces analizoi rrjedhën e dialogut deri në këto momente.
Ai vlerësoi përparimet substanciale dhe avancimin e procesit në çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe telekomunikacionit, por shprehu bindjen se do të këtë përparime dhe në marrëveshje për fusha të tjera.
Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas dy personaliteteve Kosova duhet sa me shpejt të jetë pjesë e këtij procesi në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të udhëtojnë lirisht në mbarë Evropën.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e uroi Fernando Gentilinin për detyrën e re si përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë.
mit/NOA