Tiranë, 25 maj 2011, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit me Kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grossruck ritheksoi se politika shqiptare është në pritje të përmbylljes së procesit dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
“Të gjithë duhet të kenë besim te institucionet e pavarura të Shqipërisë dhe në fund, rezultati duhet të pranohet”, apeloi Topalli duke iu referuar apelimit të rezultatit të shpallur të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor.
Ajo ritheksoi se zgjedhjet administrative të 8 majit ishte më transparentet krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në këto 20 vjet.
Ajo e argumentoi këtë me diferencën e ngushtë të rezultatit për bashkinë e Tiranës, që sipas saj tregon se zgjedhjet ishin të lira e shumë të ndershme.
Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Topalli, sikundër bën me dije zyra e shtypit e Kryesisë së Kuvendit, Grossruck theksoi se vitet e fundit Shqipëria ka bërë një transformim të jashtëzakonshëm.
Kjo sipas tij vërehet në infrastrukturë, rrugët e gjithçka tjetër, që kanë ndryshuar sipas tij tërësisht në mënyrë pozitive.
Kryetarja e Kuvendit tha se zoti Grossruck është një mik shumë i veçantë i
shqiptarëve, ndërsa e falenderoi atë për kontributin e çmuar në mbështetje të
Shqipërisë.
Miqtë austriakë, të cilët këto ditë kanë udhëtuar përgjatë Shqipërisë, shprehën
përshtypjet e tyre shumë pozitive.
Kryetarja e Kuvendit i njohu ata me reformat ekonomike e legjislative për hapjen e një biznesi në Shqipëri, me procedurat transparente, sistemin favorizues të taksave me vendosjen e taksës së sheshtë 10%, me vijimin e rritjes ekonomike pavarësisht krizës globale dhe klimën shumë tërheqëse për bizneset.
mit/NOA