English

Topi me trojkën: Procesi s’ka përfunduar, pritni vendimin e Kolegjit

Tiranë, 25 maj 2011, NOA – Kur pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për ankimimin e rezultatit për Tiranën, Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe trojka e ambasadorëve, Aleksandër Arvizu, Ettore Sequi dhe Eugen Wollfarth i kanë bërë thirrje politikës shqiptare të vetpërmbahet e të mos shpallë para kohe rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, pasi procesi nuk ka përfunduar ende.

Ky apel për përmbylljen e procesit zgjedhor në mënyrë të drejtë, transparente, e sipas kuadrit ligjor ekzistues erdhi pas takimit të sotëm të Presidentit Topi me Ambasadorin amerikan, Ambasadorin e BE-së dhe atë të OSBE-së në Tiranë.

Zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu deklaroi para pak minutash se takimi i Presidentit me trojkën e ambasadorëve u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi.

Sipas zonjës Koçiu katër personalitetet bënë thirrje për pritjen me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces, përkatësisht Kolegji Zgjedhor.

“Edhe Ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wollfarth u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi zëdhënësja e Kreut të Shtetit në një konferencë për shtyp.

Duke zbardhur këtë takim, zonja Koçiu tha se “tre Ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend”.

Ajo bëri me dije se Presidenti i Republikës, njëherësh Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fule.

Presidenti vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të Ambasadorëve Arvizu, Sequi dhe Wollfarth për kapërcimin e kësaj sfide.

“Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit”, citoi zonja Koçiu fjalët e Presidentit.

Sipas saj, Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike.

“Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar”, përmbyllet thirrja e Kryetarit të Shtetit pas takimit me trojkën e ambasadorëve më të rëndësishëm në vend.

mit/NOA

KOMENTE