English

Topi-Petroviç: Politika përgjegjshmëri për konsolidimin e shtetit multietnik

Tiranë, 25 maj 2011, NOA- Presidenti Topi gjatë ditës së sotme priti në një takim

Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sllobodan Petroviç në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Gjatë bisedimit mes tyre Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, veçanërisht mes strukturave respektive, kompetente në administrimin e pushtetit vendor.

Më tej ai vuri në dukje domosdoshmërinë që ka për shtetin e ri të Kosovës mirëfunksionimi i pushtetit lokal për ta sjellë vendimmarrjen më pranë qytetarëve, për t’i shërbyer përmbushjes së kërkesave dhe nevojave të gjithë popullsisë.

Sakaq kreu i shtetit shqiptar shprehu bindjen se Kosova po hedh hapa të sigurt përpara në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe multietnik, si dhe të institucioneve demokratike.

“Janë këto shtyllat kryesore të mbështetjes për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, deklaroi Topi, duke ritheksuar mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar për Kosovën në këtë drejtim.

Sakaq ai vlerësoi faktin se klasa politike dhe qytetarët kosovarë në mënyrë të vazhdueshme kanë dëshmuar maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim për sfidat thelbësore për konsolidimin e shtetit multietnik edhe përmes respektimit të drejtave të të gjithave pakicave në vend.

Nga ana e tij, Petroviç falënderoi Presidentin Topi, për rolin e tij dhe pozicionin mbështetës të Shqipërisë ndaj zgjerimit të hartës së njohjeve të reja të shtetit të Kosovës si dhe inkurajimit të zhvillimit të dialogut Prishtinë-Beograd për çështje teknike.

Më tej ai i pasqyroi Presidentit Topi situatën në Kosovë duke thënë se, të përbashkëta mes dy vendeve ka shumë, veçanërisht integrimi dhe plotësimi i kritereve të tij.

a.y/NOA

KOMENTE