Ambasadorja gjermane në Tiranë Carola Müller Holtkemper vlerëson se dalja nga bllokimi që ende po vazhdon është në interes të vendit dhe duhet të jetë synimi kryesor i të gjitha palëve, pra i të gjitha partive politike. Thekson se nuk na takon ne, të huajve të interpretojmë qëllimet e aktorëve politikë në Shqipëri. Flet edhe mbi angazhimet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE duke vlerësuar se ato janë shumë të mëdha dhe të rëndësishme për të lejuar vazhdimin e bllokimin aktual politik. Në intervistën që dha sot për radion DW, Holtkemper sugjeron se në Shqipëri duhet të gjejë vend racionaliteti dhe fryma konstruktive
Ani Ruci
Znj. Ambasadore, si do ta përshkruanit situatën aktuale politike në Shqipëri?
Një aspekt pozitiv, që do të dëshiroja ta vija në dukje, është që, pavarësisht nga fushata zgjedhore e polarizuar, dita e zgjedhjeve lokale të 8 majit kaloi mjaft mirë. Procesi elektoral nuk ka përfunduar: ai ende vazhdon. Varet nga institucionet shqiptare, dhe po theksoj institucionet shqiptare të sigurojnë që apelimet në Kolegjin Zgjedhor të trajtohen në një mënyrë të ndershme, transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.
A mund të thoni, mendimin tuaj lidhur me arsyet apo shkaqet që gjeneruan tensione politike pas ditës së zgjedhjeve, protesta të opozitës deri në paralajmërim e saj për të mos njohur institucionet dhe për të drejtuar atë që opozita e quan ”mosbindje civile"?
Po, është për të ardhur keq që niveli i lartë i tensionit dhe i polarizimit të shoqërisë në Shqipëri vazhdon ende. Kjo ndodh kryesisht për shkak të paqartësive në kuadrin ligjor. Natyrisht, edhe diferenca shumë e vogël në vota për palën fituese, në një mënyrë ose në një tjetër, ka rolin e vet në këtë situatë. Gjithsesi, në një demokraci, ndryshimi nuk është vetëm diçka normale, ndryshimi është thelbi i procesit demokratik.
Çfarë veprimi apo nisme do të shënonte pikën e kthesës drejt normalizimit të situatës së tensionuar?
Është e rëndësishme që në fund të gjitha palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Që kjo të ndodhë është e nevojshme të ndiqen në mënyrë transparente dhe të ndershme procedurat që përcakton Kodi Elektoral. Çështjet që nuk mbulohen në mënyrë të qartë nga kodi Elektoral duhet të zgjidhen në frymën e dialogut dhe të konsensusit. Gjatë gjithë procesit duhet të mbizotërojë qetësia, pasi dhuna është krejtësisht e papranueshme.
Faktori ndërkombëtar, i pranishëm në Tiranë, po ndjek dhe asiston intensivisht procesin zgjedhor. A mendoni se një këshilltar i pavarur, nga jashtë vendit, për çështjet e debatuara lidhur me vendimin e KQZ- së për rezultatin zyrtar në Tiranë për Kryetarin e Bashkisë, do të mund të ndihmonte që apelimi i opozitës kundër këtij vendimi në Kolegjin Zgjedhor të jetë transparent dhe i pavarur?
Në parim kryerja e zgjedhjeve është para së gjithash përgjegjësi e institucioneve shqiptare. Aftësia për të zhvilluar zgjedhje, ku rezultati pranohet në përgjithësi, tregon pjekurinë e institucioneve politike. Natyrisht, kjo nuk përjashton dhe nuk pengon të kërkuarit e një këshille nga jashtë. Komuniteti ndërkombëtar ka qenë shumë i pranishëm në këto zgjedhje dhe në këtë prani edhe Gjermania ka kontributin e saj duke dërguar vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë por në fund të fundit, zgjedhjet duhet të jenë një proces i shqiptarëve.
Në një mesazh, në fillim të kësaj jave, Catherine Ashton dhe Stefan Füle i bëjnë thirrje politikanëve të Tiranës të vënë interesat e Shqipërisë dhe të vazhdimit të procesit të integrimit europian mbi interesat e partive. Një mesazh ky jo i ri, i drejtuar atyre shpesh dhe me këmbëngulje nga BE. Sipas jush pse politikanët e Tiranes, deri tani nuk e kanë marrë plotësisht në konsideratë këtë mesazh?
Dalja nga bllokimi që ende po vazhdon është në interes të vendit dhe duhet të jetë synimi kryesor i të gjitha palëve, pra i të gjitha partive politike. Natyrisht, që nuk na takon ne, të huajve të interpretojmë qëllimet e aktorëve politikë në Shqipëri.
Çfarë mendoni për zbatimin nga ana e BE, në situatën aktuale të Shqipërisë, të parimit të njohur si parimi “ i kushtëzimit” ndaj vendeve që aspirojnë anëtarësimin?
Kemi kriteret e Kopenhagës që zbatohen për të gjithë vendet potencialisht kandidate për anëtarësim në BE. Dhe ato zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet që dëshirojnë të marrin statusin e vendeve kandidate për anëtarësim. Në këtë drejtim, bllokimi politik, që po vazhdon në Shqipëri dëmton imazhin e saj në Europë. Shqipëria nuk mund të përballojë zvarritjen në këtë proces. Angazhimet dhe detyrat që Shqipëria duhet të plotësojë në rrugën e saj të integrimit në BE janë shumë të mëdha dhe të rëndësishme për të lejuar që ky bllokim politik të vazhdojë. Në Tetor, BE do të publikojë Progres Raportin për Shqipërinë dhe nëse situata e tanishme vazhdon, atëherë është e dyshimtë nëse ky raport do të tregojë përmirësime thelbësore. Le të shpresojmë që do të gjejë vend racionaliteti dhe fryma konstruktive.