English

Arvizu: Lexojeni të gjithë deklaratën e Kantrimen, jo pjesët që favorizoni

Elbasan, 26 maj 2011, NOA – Nga qyteti i Elbasanit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu apeloi që të lexohet siç duhet dhe e plotë deklarata e zëvendës/ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Tomas Kantrimen, dhënë një ditë më parë për Zërin e Amerikës.

Arvizu theksoi se deklarata e zyrtarit amerikan ishte tejet e qartë e thjeshtë, konçize dhe mjaft e kuptueshme.

“Nëse e keni lexuar me kujdes në deklaratë nuk ka asnjë pyetje përsa i përket qëndrimit të SHBA-ve për situatën në Shqipëri”, bëri me dije Arvizu, duke anashkaluar komentin e tij për situatën politike postzgjedhore.

Sipas ambasadorit amerikan, ajo që zoti Kantrimen nënvizoi ishte se duhet lexuar e gjithë deklarata për të marrë kuptimin e saj dhe jo vetëm pjesët që u interesojnë.

“Ju duhet të lexoni të gjithë deklaratën dhe jo atë pjesë që ju pëlqeni dhe favorizoni, por të gjithë deklaratën” nëvizoi Arvizu duke e mbyllur me këto fjalë përgjigjen për mediat.

Ambasadori amerikan mori pjesë në betimin e 39 vullnetarëve të Korpusit të Paqes, i cili është një traditë e përvitshme për Elbasanin.

Pas përfundimit të trajnimit të vullnetarëve dhe betimit të tyre duke nisur nga nesër 39 vullnetarët e Korpusit të Paqes do të punojnë në bashkitë, komunat, shkollat dhe qendrat shëndetësore në mbarë Shqipërinë.

Ata pritet të punojnë si mësues të gjuhës angleze, edukatorë për promovimin shëndetësor, apo si këshilltarë në fushën e zhvillimit organizativ të komunitetit.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, i cili tha se vullnetarët do të jenë gjithnjë të mirëpritur në qytetin e Elbasanit.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes e nisën aktivitetin e tyre në vendin tonë në vitin 1992, me ftesë të Qeverisë shqiptare.

Deri më tani në vendin tonë kanë shërbyer 310 mijë vullnetarë.

Korpusi i Paqes u themelua në vitin 1961 nga ish-presidenti amerikan John Kenedy, dhe nga asokohe deri më tani është përhapur në më shumë se 140 vende të botës, me synimin për promovimin e vlerave dhe dhënien e ndihmës e kontributit konkret për popujt.

mit/NOA

KOMENTE