Tiranë, 26 maj 2011, NOA- Kryeministri Berisha pasditen e sotme ka qenë i pranishëm në inaugurimin e Ekspozitës “Viza për lirinë, diplomat spanjoll përballen më holokaustin”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast ai falënderoi Ambasadorin e Spanjës, Sekretarin e Përgjithshëm të Shtëpisë Stefarad, për nderin që i bën Shqipërisë duke hapur këtë ekspozitë në nderim të atyre diplomatëve spanjoll, italian e të tjerë, për një nga momentet më të errëta të qytetërimit perëndimor.
“Momentin më të zi të historisë së Europës, që është Holokausti, një mega krim i bazuar në doktrinën raciste naziste, por dhe zgjimin e demonëve të urrejtjes raciste të fjetur në subkoshiencën e kombeve tjera. Këto diplomat u ngritën mbi këtë gjendje të mjerë, të vështirë dhe mbrojtën vlerat më të mira të njeriut, bënë gjithçka të shpëtojnë dhe shpëtuan mijëra hebrenj, të cilët ndiqeshin dhe gjahu i tyre bëhej për faktin e vetëm të origjinës së tyre etnike, paçka se ata kishin një kontribut thelbësor në zhvillimin e çdo vendi ku ata jetonin. Kjo ekspozitë dëshmon gjithashtu për një marrëdhënie të re, që i bën nder kombit tuaj, që u vendos nga fillimi i shekullit të kaluar dhe në vazhdim me kombin hebre.”, deklaroi Berisha.
Ai shprehu bindjen se në histori ka pasur krime të tjera të mëdha, por në historinë moderne ky ka qenë krimi më i madh mbi baza etnike, duke shtuar se sa më shumë të nderohet dhe rikujtohet, nderohen viktimat dhe hidhet dritë drejt së ardhmes.
Berisha tha se Shqipëria gjithnjë ka qenë e pranishme në një mënyrë ose në një tjetër, natyrisht jo si vend i pavarur, por si një komb që adaptoi disa standarde tjera qëndrimi ndaj kombit hebre.
Sakaq ai kreu i qeverisë theksoi se, “Gjatë luftës së dytë botërore, siç e theksuat edhe ju, diplomatët spanjollë, suedezë, apo diplomatë të vendeve të tjera neutrale, bënë detyrën e tyre shumë fisnike. Vendi im nuk kishte shans tjetër veç se të ishte i pushtuar në luftën e dytë botërore, por shqiptarët edhe nën okupacion dhe në kushte shumë të vështira bënë detyrën e tyre dhe numri i qytetarëve me origjinë hebreje në Shqipëri u rrit. Asnjë nuk u dorëzuar dhe kjo është një gjë që e afron më shumë Shqipërinë me të gjithë ata që qëndruan në rrethana të ndryshme kundër holokaustit. Kjo përben një trashëgimi të shkëlqyer midis kombi shqiptarë dhe kombit hebre”.
Kjo ekspozitë u organizua nga Shtëpia Stefarad Izrael, dhe u çel në ambientet e Muzeut Kombëtar.
a.y/NOA