English

Berisha: Turizmi, mundësi për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët

Tiranë, 26 maj 2011, NOA – Turizmi shqiptar ku në një sipërfaqe të vogël ofrohen të gjitha bukuritë e natyrës, deti, me plazhet ranore e shkëmbore, male, lugina, liqenet, por edhe kuzhina mikpritëse shqiptare ishin lajtmotiv i bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe një grupi operatorësh turistikë nga Bosnje-Hercegovina, që kanë mbërritur në vendin tonë.

Kryeministri Berisha duke i falenderuar ata për iniciativën e ndërmarrë, theksoi se turizmi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe një mundësi e madhe e forcimit të marrëdhënieve, sidomos me vendet fqinje.

“Shqipëria, ka traditë të hershme në fushën e turizmit, është një vend mikpritës, me një kuzhinë të veçantë e të pasur, me bukuri natyrore të pakrahasueshme dhe me trashëgimi kulturore të shumëllojtë”, u tha kryeministri operatorëve turistikë.

Ai nënvizoi sakaq se qeveria shqiptare e ka konsideruar si një thesar të saj zhvillimin e kujdesshëm të turizmit.

Sipas tij përgatitja e infrastrukturës kryesore dhe dytësore kanë qenë hapat e para të reformave të qeverisë në këtë drejtim.

“Hartimi i një masterplani bregdetar dhe nxitja e shpirtit sipërmarrës për turizmin malor, lehtësirat për investitorët e huaj dhe vendas për zhvillimin e turizmit janë të pasqyruara në një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si heqja e taksave për disa vjet për investimet në turizmin malor, ofrimi i terrenit publik për projekte të mëdha turistike, mbrojtje e investimeve vendase dhe të huaja, lehtësira në udhëtim etj”, evidentoi shefi i qeverisë.

Kryeministri Berisha u premtoi sipërmarrësve turistikë vazhdimësi në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

Nga ana e tyre operatorët turistikë nga Bosnje-Hercegovina u shprehën të njëmendtë se turizmi zhduk kufijtë dhe forcon bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.

Mandej ata shprehën entuziasmin për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e turizmit mes dy vendeve.

mit/NOA

KOMENTE