English

Edi Rama ka paditur Sali Berishën, avokatët nuk vijnë në seancë

Tiranë, 26 Maj 2011 NOA – Një padi e z.Edi Rama për kryeministrin Sali Berisha, e papranuar nga Prokuroria e Tiranës e cila pushoi çështjen, e ka detyruar liderin socialist që të ankohet në Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit ka pranuar kërkesën dhe sot ka thirrur mbrojtjen ligjore të kreut socialist si dhe atë të kryeministrit, për seancën gjyqësore.

Edhe pse palët ishin lajmëruar, përfaqësuesit ligjorë të kreut të Partisë Socialiste nuk janë paraqitur për të dytën herë radhazi në Gjykatën e Lartë, bëjnë të ditur për agjencinë NOA, burime zyrtare nga kjo gjykatë.

Edi Rama e akuzon kryeministrin Sali Berisha për shpifje ndaj tij të bërë botërisht si dhe për shpërdorim të detyrës. Bëhet fjalë për deklaratat e z.Berisha në seancë plenare mëse një vit më parë ku kryeministri foli me nota të ashpra ndaj kreut socialist.

Prokuroria e Përgjithshme kishte vlerësuar se çështja duhet të pushohej dhe kërkesa e Ramës s’mund të pranohej, për mungesë të elementëve të veprës penale

Avokatët e z.Edi Rama, Agim Hysi dhe Arian Salati nuk kanë marrë pjesë në seancën e sotme të planifikuar, por kjo ishte hera e dytë që ata nuk merrnin pjesë.

Këtë çështje gjyqësore e kryeson te Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pikërisht kryetarja e kësaj gjykate, Shpresa Beçaj e cila sot bëri me dije se dy avokatët që përfaqësojnë Edi Ramën, kishin informuar se nuk mund të vinin në gjyq në seancën e sotme.

Dy avokatët kishin argumentuar mungesën duke deklaruar se ata ishin të zënë me ndjekjen e çështjes së ankimimeve kundër KQZ-së, të kryera nga Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj vuri në dukje faktin se dhe seancën pararendëse, ishin përfaqësuesit ligjorë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, që nuk ishin të pranishëm duke u deklaruar se ata ishin të sëmurë që të dy.

Lidhur me mungesën e avokatëve të Ramës ka ardhur reagimi nga mbrojtja ligjore e Berishës. Avokatja mbrojtëse e kryeministrit Sali Berisha, e pranishme në seancën e sotme e ka vlerësuar të paarsyeshme kërkesën e përfaqësuesve të Edi Ramës.

Sipas avokates së kryeministrit, shqyrtimi i kallëzimit të Partisë Socialiste kundër KQZ-së, do të bëhej në Kolegjin Zgjedhor në orën 13.00 dhe për rrjedhojë kishte pasur kohë të mjaftueshme për dy avokatët që të ishin në seancën e orës 10.00.

Gjykata e Lartë vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet më 9 qershor paradite.

e.t/NOA

KOMENTE
  • Kuqeziu05:43 - 27 Maj 2011
    Edi Rama, mjaft me keto akrobacira ligjore! Nuk u ngope me 12 vjet si kryetar bashkie ku bere si deshe me lejet e ndertimit?