English

Kolegji Zgjedhor pushon kërkesën e PS, për tabelën e KZAZ 49

Tiranë, 26 maj 2011, NOA - Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi tabelën e rezultatit në KZAZ-në nr. 49, që i përket minibashkisë 5, e ankimuar nga Partia Socialiste.

Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor u mor pak minuta më parë, ku u vendos të lihet në fuqi vendimi i KQZ-së.

Ndërkohë Kolegji Zgjedhor ka shtyrë për nesër marrjen e vendimit për ankimimin e PS-së lidhur me rezultatin e shpallur nga KQZ në tabelën përmbledhëse për Tiranën, ku u shtuan edhe votat e kontestuara të numëruara në KQZ, sa i përket fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri deklaroi pas pushimit të ankesës së PS-së se “Gjykimi i rezultatit për Tiranën nuk ka përfunduar ende”.

Gjiknuri tha se rrugët ligjore sa i përket rezultatit për bashkinë e Tiranës nuk janë ezauruar ende.

Këtu Gjiknuri bëri me dije se Kolegji Zgjedhor mund të jepte edhe sot drejtësi.

“Presim që Kolegji të ushtrojë detyrën e të vendosë përtej interesave të politikës”, apeloi Gjiknuri.

Ai evidentoi se Kolegji Zgjedhor kishte pranuar se KQZ shkeli afatin 48 orësh për miratimin e tabelës së KZAZ-së nr. 49.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste tha se tashmë pritet vendimmarrja e Kolegjit për aktin normativ të lëshuar nga KQZ.

mit/NOA

KOMENTE