English

Kolegji Zgjedhor tërhiqet për të marrë vendimin

Tiranë, 26 maj 2011, NOA – Kolegji Zgjedhor pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve për rezultatin e zgjedhjeve vendore në Tiranë është tërhequr për të marrë vendimin për ankimimin e Partisë Socialiste mbi rezultatin për Tiranën të shpallur nga KQZ.

Trupa gjyqësore e Kolegjit Zgjedhor me relator gjyqtarin Pëllumb Dhimitri, pritet të vendosë për ta rrëzuar rezultatin e shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për të rrëzuar ankesën e Partisë Socialiste lidhur me këtë rezultat, ku u shpall fitues me 81 vota më shumë kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha.

Ankesa e PS-së mbi rezultatin mbështetet mbi kontestimin që përfaqësuesit e PS-së i bënë ndryshimit të rezultatit në tabelën përmbledhëse për Tiranën, në KQZ, kur pas numërimit të fletëve të kontestuara apo të njohura tashmë si fletë të vlefshme për kryetar bashkie, por të hedhura në kutitë e gabuara këto vota u shtuan në tabelat e KZAZ-ve dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit për bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë Partia Socialiste pretendon se Edi Rama ka fituar zgjedhjet në Tiranë, pasi pas përfundimit të numërimit të votave në KZAZ-në 49 të minibashkisë 5, ai doli fitues me 10 vota më shumë se rivali i tij Lulzim Basha.

Trupa e Kolegjit Zgjedhor përbëhet nga gjyqtarët Pëllumb Dhimtri relator i ankimimit, Dhurata Haveri, Entela Prifti, Sashenka Jonuzi e Marie Qiriazi.

Më parë Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të rinumëruar votat në disa qendra për bashkinë e Poliçanit, e kërkuar nga kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Poliçanit.

Sipas tij janë vërejtur parregullsi në dy qendra votimi 3578 dhe 3581, ku është bërë ndërrimi i rezultateve të votimit mes dy kandidatëve Adriatik Zotkaj i “Aleancës për të Ardhmen” i shpallur fitues për bashkinë e Poliçanit dhe kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”.

mit/NOA

KOMENTE