Prishtinë, 26 maj, NOA - Për heroizmin dhe qëndresën e popullit të Kosovës janë shkruar shumë libra prej autorëve të huaj dhe shqiptarë që për së afërmi e vëzhguan dhe u përpoqën që të pasqyronin me vërtetësi këtë ngjarje që tronditi rajonin e Ballkanin dhe turbulloi shumë ndërgjegje njerëzore.
Në kujtesën e opinionit botëror, rreth krimeve në Kosovë, tashmë vjen një libër i ri i shkruar prej një dëshmitari, që me sytë e tij pa masakrat dhe torturat. Libri i autorit kosovar z. Hysen Terziu është i veçantë në llojin e tij për problemet e Kosovës. Është përpjekje e suksesshme për të nxjerrë në dritë shumë të vërteta ende të pa thëna rreth luftës në Kosovë. Autori dëshmon, akuzon dhe argumenton me fakte të shumta e të padiskutueshme masakrat dhe barbaritë serbe mbi popullatën e pafajshme. Çdokush që lexon këtë libër rrënqethet, drithërohet para ndodhive të pabesueshme por që kanë ndodhur dhe pyet: Si ka mundësi që në ditët e sotme të përsëriten krimet më të egra e më barbare që ka njohur njerëzimi në kohët më të errëta dhe nga protagonistët më barbarë?
Në faqet e këtij libri do të gjeni dy kontraste të thekshme, në njërën anë: një botë barbare, e egër, antinjerëzore, e kriminalizuar dhe e përbuzur. Do të shihni falangat ogurzeze serbe, që shpalosën flamurin e zi dhe të kobshëm të egërsisë. Konturohen skena të përgjakura me viktima të masakruara e të torturuara barbarish. Në anën tjetër lartërsohet shpirti liridashës, guximtar dhe i paepur i popullit shqiptar në Kosovë përpara çdo barbarie.
Libri është përmendore, homazh dhe memorial për ato qindra-mijëra që u masakruan, derdhën gjakun dhe sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës. Historia e Kosovës martire ende nuk është shkruar. Në fletët e këtij libri gjendet vërtet dhimbja, tmerri, krimi, por gjendet edhe heroizmi. Kosova u ngrit në luftë për paqe. Le të kujtojmë fjalët e një burri shteti: “Në qoftë se nuk luftoni kur fitorja mund të arrihet, atëherë do të detyroheni të luftoni kur fitorja do të arrihet me vështirësi, por vdekja është me e parapëlqyer se skllavëria e përjetshme”. Ndër veprat historike të autorit Hysen Terziu përmendim: Ramë Avdyli dhe bashkëluftëtarët e tij, e cila ngërthen në vete ngjarjet 1908- 1912, “Gjenocidi serb në Anamoravë 1912-1956”, ndërsa kjo është vepra e tretë me titull “LINDJE, VDEKJE, PËRJETËSI” ngjarje që ngërthen në vete traumat mes viteve 1956 -1999, për jetën, veprën dhe përjetësinë e 29 dëshmorëve të Anamoravës. Në vetvete kjo vepër është lartësim për shpirtin liridashës. Duke vlerësuar vlerat dhe rëndësinë e madhe që mbart ky libër, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam mori përsipër botimin e tij për ta sjellë atë pranë lexuesve shqiptarë.
Skeda e Librit
Autori: Hysen Terziu
Titulli: Lindje - Vdekje.. Përjetësi
Numri i faqeve: 740
Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam
Shtypi: Shtypshkronja "Milenium i Ri"