Tiranë, 26 maj 2011, NOA- Partia Socialiste reagoi pak më parë lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili pushoi çështjen mbi tabelën e rezultatit në KZAZ-në nr. 49, që i përket minibashkisë 5, e ankimuar nga kjo parti.
Selia rozë nëpërmjet një deklarate për mediat e ka konsideruar këtë vendim si të pabazuar në ligj dhe tërësisht të papranueshëm.
“Ky vendim flet qartë për vështirësinë e jashtëzakonshme të dhënies së drejtësisë në këtë vend dhe për pamundësinë e trupit gjykues për të vendosur në bazë të ligjit e jo të rrethanave politike apo interesave vetjake të secilit gjykatës. Megjithatë, Partia Socialiste do të vazhdojë ta kërkojë të drejtën e saj në dyert e sistemit të drejtësisë, duke shpresuar, deri në fund, se gjyqtarët do të zbatojnë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjet në fuqi”, thuhet në deklaratën e PS.
Në vijim të këtij qëndrimi u bëhet apel gjyqtarëve që të japin drejtësi, jashtë çdo ndikimi politik, duke u thënë se ata nuk duhet të harrojnë për asnjë çast se kjo çështje është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me interesat kombëtare, me demokracinë e stabilitetin e vendit, me drejtësinë e drejtë, të pavarur e të pandikueshme për asnjë arsye politike apo ngushtësisht vetjake.
Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor u mor mesditën e sotme, ku u vendos të lihet në fuqi vendimi i KQZ-së për KZAZ-në numër 49, që i përket njësisë bashkiake numër 5.
Ndërkohë Kolegji Zgjedhor pritet të marrë nesër vendimin për ankimimin e PS-së lidhur me rezultatin e shpallur nga KQZ në tabelën përmbledhëse për Tiranën, ku u shtuan edhe votat e kontestuara të numëruara në KQZ, lidhur me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, nga ku fitues doli kandidati i maxhorancës Lulzim Basha.
a.y/NOA