Shkup, 26 maj 2011, NOA- Mbi 10 kandidatë për deputet në listat e partive politike në Maqedoni për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit rezultojnë të dalin si ish-bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete.
Nga Komisioni për lustrim kanë bërë të ditur se kandidatë të dyshuar janë nga disa parti politike dhe se pritet verifikimi i tyre, pasi që janë në shqyrtim e sipër dosjet e tyre.
Komisioni nuk ka dhënë asnjë hollësi se për cilët kandidatë dhe nga cilët parti vijnë ata, mirëpo siç mëson jo zyrtarisht agjencia e lajmeve INA, nga kandidatët për deputet janë edhe disa nga partitë politike shqiptare. Emrat e kandidatëve që po verifikohen nuk janë si bartës të listave, por ato janë në kuadër të tyre.
Komisioni për Lustrim deri në ditën e zgjedhjeve do të vlerësojë se cili nga kandidatët ka qenë bashkëpunëtor dhe nuk mund të jetë në listat e deputetëve, ndërsa nuk lejohet korrektimi i listave.
(INA)/NOA