Prizren, 27 maj 2011, NOA- Në kuadër të vizitës së saj në Kosovë, shefja e diplomacisë europiane Catterine Ashton zhvilloi një takim me Kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi.
Gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të përbashkët në Prizren, ajo ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi paraqet mënyrën praktike për të siguruar përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe se marrëveshje do të ketë vetëm kur të dyja palët do të merren vesh.
Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi ka theksoi se e ardhmja europiane e Kosovës është e sigurt, por ajo varet nga bashkëpunimi fqinjësor, duke vlerësuar më tej raportet me vendet e rajonit.
“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm dhe kreativ, në mënyrë që çështjet që ende janë për t’u zgjidhur të zgjidhen sa më shpejt, prandaj bashkëpunimi ynë do të jetë shumë i ngushtë dhe unë falënderoj edhe një herë në emrin tim personal, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës baroneshën Ashton për vizitën e saj në Kosovë”, u shpreh Thaçi.
Ndërsa kryediplomatja e Europës deklaroi: “Ne kemi diskutuar gjithashtu të gjitha çështjet me interes për ju, siç është liberalizimi i vizave, roli i EULEX-it, një mbështetje e rëndësishme për ta dhe ne kemi marrë parasysh mënyrat se si mund të ecim përpara, për të arritur sa më shumë që mundemi bashkërisht”.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka shprehur bindjen se ky proces do të lehtësojë jetën e qytetarëve.
Në përfundim baronesha Ashton u shpreh se, “Ajo që ne duhet të bëjmë është që të punojmë me të dyja palët që të kryhen punët e nevojshme për të arritur një marrëveshje për çështje pragmatike, dhe unë shpresoj se këto marrëveshje do të arrihet shpejt”.
a.y/NOA