English

Avokati i PS: Hoqëm dorë nga një padi në Kolegjin Zgjedhor

Tiranë, 27 maj, NOA – Avokati i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Eno Bushi tha për mediat se opozita ka hequr dorë nga një ankesë e bërë në Kolegjin Zgjedhor, për të dorëzuar në këtë institucion një padi edhe më të detajuar.

Ai u shpreh se “padia që ka bërë PS-ja përmbledh dy pika kryesore; pavlefshmërinë e veprimeve të KQZ dhe pavlefshmërinë e vendimit për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara”.

Bushi u shpreh se palët po presin që Kolegji të zgjedhe trupin gjykues dhe relatorët si dhe të caktojë një datë për çështjen e përmbledhur të Partisë Socialiste.

Kërkesa e PS-së nga e cila u hoq dorë i përkiste datës 18 maj dhe synonte rrëzimin e vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit. Por përfaqësues të KQZ-së thanë në Kolegjin Zgjedhor se në datën 18 maj nuk ka ekzistuar një vendim i plotë i KQZ-së për këtë çështje, por ka qenë i miratuar vetëm në parim. Për këtë qëllim PS-ja është tërhequr nga kjo ankesë dhe ka kërkuar që të shqyrtohet ankimimi i datës 23 maj, në të cilën kërkohet mos marrjen parasysh të rezultatit të KQZ-së të nxjerrë nga numërimi i votave të pavlefshme.

a.k/NOA

KOMENTE