Prishtinë, 27 maj, NOA – Zhvillimi i teknologjisë kibernetike kërkon dhe një përshtatje të termave gjuhësorë dhe saktësimin programeve përkatëse kompjuterike.
Për këtë qëllim sot në Prishtinë do të organizohet tryeza shkencore “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Takimi zhvillohet në Hotel Grand, në orën 10.00.
Disa prej temave që do të diskutohen në këtë tryezë janë: Lokalizimi i versioneve të MS Windoës-it e MS Office-it dhe “Fjalori i termave të informatikës” – arritje e shqipes përkrah gjuhëve të tjera; AS Drejtshkrimori 2.0 - mjet themelor për kulturën gjuhësore; Përmirësimi dhe plotësimi i drejtshkrimorit të shqipes me programe shtesë - tastiera shqipe, ndarja e fjalëve në fund të rreshtit dhe korrigjuesi sintaksor në gjuhën shqipe; Kulla e shqipes si pasqyrë e sistemit morfologjik të gjuhës shqipe; Programi kompjuterik i sinonimeve për pasurimin dhe përparimin e mëtejshëm të Fjalorit Elektronik Shpjegues; Abetarja digjitale dhe vlerat e saj praktike etj.
Gjithashtu, edhe në këtë tryezë do të prezantohet Libri Gjigant i gjuhës shqipe.
Të ftuar të tryezës janë përfaqësues nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, ambasadori i Shqipërisë Islam Lauka si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës.
Gjithashtu, në këtë tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të universiteteve nga të gjitha trojet shqiptare.
Disa nga ligjëruesit e kësaj tryeze janë: Anila Çepani, anëtare e Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë të Tiranës; Isë Bakçinca, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës; Adelina Çerpja , Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë; Enver Hysa, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të Tiranës, Shefkije Islamaj, këshilltare shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës; Emil Lafe, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; Ernest Culaj, udhëheqës i programuesve në kompaninë softuerike “Alba-Soft” dhe Lulëzim Shishani, drejtor i Qendrës për Edukim dhe Përparim.
a.k/NOA