English

I fshiheshin dënimit, policia prangos tre hajdutë

Durrës, 27 maj 2011, NOA- Policia e Durrësit ka vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së djeshme tre persona të akuzuar dhe dënuar për vjedhje.

Rasti i parë është ai i Hysni Morinës, 47 vjeç, banues në Durrës i cili ishte shpallur në kërkim në janar të këtij viti, pas lënies në fuqi të dënimit prej 2 vjet, 10 muaj e 9 dite burg për veprat penale te vjedhjes me dhunë kryer në bashkëpunim dhe favorizimit e shfrytëzimit të prostitucionit, vepra të cilat i ka kryer në kohën kur ishte në Itali ku edhe është dënuar.

Ndërsa i ndaluari i dytë është një 16 vjeçar me iniciale B.Ll. banues po në Durrës, i cili i fshihej drejtësisë pas dënimit të gjykatës me 8 muaj burg për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim më shumë se një herë.

Ndalimi tjetër është bërë për Ergys Dhimën i moshës 24 vjeçare, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim në janar të këtij viti pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Durrësit për të mos ndryshuar masën e arrestit, por ka vendosur ta lërë atë në burg.

a.y/NOA

KOMENTE